Nëna kyçi fëmijët në banesë dhe i la vetëm, Shërbimi Social vendos sot për ‘fatin’ e tre të miturve
Shërbimi Social pritet të vendosë këtë të hënë 12 janar, lidhur me historinë e tre fëmijëve të mitur, të cilët kyçeshin në banesë nga nëna e tyre.
Denoncimi për rastin në fjalë, nga Durrësi, erdhi nga ish-vjehrra e nënës së fëmijëve. Aktualisht, Blerina Basha, ndodhet bashkë me tre fëmijët e saj në spitalin e Durrësit, ku të miturit i janë nënshtruar vizitave dhe analizave, ndërkohë që Shërbimi Social do të vendosë për fatin e të miturve, më i madhi 12 vjeç dhe me i vogli 5.
Shërbimi Social pritet të dalë me një vendimmarrje, për të nisur procesin mbi heqjen apo jo të kujdestarisë së nënës, e cila akuzohet për braktisje.
Sipas informacioneve, nëna me tre fëmijët ndodhen në spitalin e Durrësit, konkretisht në repartin e pediatrisë, ku po qëndrojnë në pritje të vendimit zyrtar.
Punonjësit e Shërbimit Social pritet të paraqiten në repartin e Pediatrisë, ku do të shqyrtojnë rastin dhe do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm, lidhur me kujdestarinë e tre të miturve.
Po ashtu mësohet se sot do të paraqitet në spital, edhe babai i tre fëmijëve që ndodhet në Itali.
Lidhur me ngjarjen e rëndë të braktisjes së fëmijëve në kushte çnjerëzore në banesë, 33-vjeçarja, ka sqaruar më herët se gjatë ditës është në punë dhe detyrohet që t’i lërë fëmijët vetëm. E reja pretendon se denoncimi në Polici është një kurth që i ka bërë ish-vjehrra, e cila sipas saj, ka mësuar edhe fëmijët që të flasin keq për të.
Duke u ankuar për gjendjen e rëndë ekonomike, 33-vjeçarja është shprehur se ish-burri ka qenë në burg në Itali për 5 vite dhe pasi ka dalë, paguan vetëm 180 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët.
“Kam 5 vjet e divorcuar. Punoj banakiere dhe të tre fëmijët i lë së bashku kur iki në punë. Paguhem 400 mijë lekë të vjetra në muaj dhe paguaj 300 mijë lekë qiranë.
‘E kam të pamundur që të rri me fëmijët se s’kam të ardhura me se të paguaj qiranë dhe t’i ushqej. Ky është kurth nga ish-vjerra, e cila më ka paditur se braktis fëmijët. Si mund ta bëj këtë kur unë vetë punoj? Më ka hyrë pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijët të flasin keq kundër meje. Nuk e di por kjo është e patolerueshme. Si vjen në shtëpinë time pa leje dhe më denoncon në polici? Do mbroj fëmijët se babai i fëmijëve ka qenë në burg ne Itali për 5 vjet. Doli nga burgu dhe ka paguar për fëmijet 180 mije lekë të vjetra. Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj? Unë fëmijët nuk i braktis kurrë se jam nënë. Djali i dytë vuan nga epilepsia dhe kam shkuar në spitale për kurim për një kohë të gjatë. Tani është më mirë. Veshkën e shes e femijët nuk i braktis. Fëmijët nuk i lë në jetimore”, tha mes të tjerash 33-vjeçarja.
Ndërkohë Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale ‘Keqtrajtimi i të miturve’.
Procedimi penal nisi pasi të dielën e 11 janarit, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar edhe në rrjete sociale.