Rritet ndjeshëm sipërfaqja e tokës nën ujë në Shkodër/ Rreth 945 hektarë tokë bujqësore e përmbytur

Eshtë rritur ndjeshëm sipërfaqja e tokës nën ujë në bashkinë e Shkodrës në krahasim me një ditë më parë. 

Megjithëse situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll, problematika vijon të mbetet prania e ujit në sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, e vlerësuar rreth 945 hektarë, gati dyfishi në krahasim me një ditë më parë ku emergjencat raportuan se kemi të bëjmë me 525 ha tokë nën ujë.

Sipërfaqet e përmbytura janë të shpërndara kryesisht në:

Njësinë Administrative Ana e Malit – rreth 600 ha

Njësinë Administrative Velipojë – rreth 195 ha

Njësinë Administrative Dajç – rreth 120 ha

Njësinë Administrative Bërdicë – rreth 30 ha

Në zonën e Obotit, uji është prezent në oborre dhe qarkullimi me mjete civile mbetet i bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në rrugë. Lëvizja e banorëve po realizohet me mjete të Ushtrisë.

Sa i përket lumenjve, situata mbetet e kontrolluar, por nën monitorim të vazhdueshëm. Niveli i lumit Buna në Dajç është 6.64 metra, ndërsa në Urën e Vjetër ka arritur në 8.70 metra, rreth 50 centimetra nën kuotën kritike. Lumi Drin, në Urën e Bahçallëkut, ndodhet në kuotën 7.70 metra, rreth 2.30 metra nën nivelin kritik.

Hidrovoret vijojnë punën në kapacitet të plotë, duke ndihmuar në mbajtjen e niveleve të ujit në parametra të sigurt. Deri tani nuk raportohen problematika në argjinatura, kanale kulluese apo në shkarkuesit e Digës së Rezervuarit të Shkodrës.