Morën peng 39-vjeçarit nga Kosova/ Gjykata e Vlorës lë në burg dy prej të dyshuarve dhe një në arrest shtëpie

Gjykata e Vlorës ka konfirmuar sot masën "arrest në burg" për Orest Çorapajn dhe Julian Zogajn, si dhe ka lënë në arrest shtëpie Vilson Agajn, pasi u arrestuan më 12 dhjetor të dyshuar si autorë të pengmarrjes së Fisnik Xhakës nga Kosova. 

Sipas policisë, ngjarja lidhet me një borxh të pashlyer rreth 70 mijë euro, ndërsa 39-vjeçari dyshohet se është mbajtur peng për rreth dy javë në një banesë në lagjen “Osman Haxhiu”, në qytetin e Vlorës.

Më 13 dhjetor, Syri TV publikoi video , ku shfaqet i riu nga Kosova, i cilësuar nga policia si viktimë e pengmarrjes, së bashku me personat e arrestuar. Në pamjet filmike, personat duken duke drekuar së bashku dhe duke u sjellë në mënyrë të qetë, ç'ka sipas avokatëve të 3 të pandehurve tregon se ata njiheshin me njëri-tjetrin dhe se nuk bëhet fjalë për një situatë pengmarrjeje.

LEXO EDHE:  SYRI TV/ Dalin pamjet e pengmarrjes në Vlorë për 70 mijë euro

Sipas pretendimeve të palës mbrojtëse, i riu nga Kosova ka ardhur në Vlorë me valixhe dhe veshmbathje personale, me qëllimin për të qëndruar aty për një periudhë kohe. Mbrojtja thekson gjithashtu se denoncimi për pengmarrje është bërë nga motra e tij, e cila jeton në Suedi.

Avokatët pretendojnë se i riu u kërkonte para familjarëve për të shlyer një borxh, për të cilin kishte dalë garant, dhe se rasti është keqinterpretuar si pengmarrje.

Nga ana e shërbimeve të Policisë Gjyqësore, në banesën ku pretendohej se janë gjetur të rinjtë dhe “pengu” i tyre, është gjetur edhe valixhja me rrobat dhe veshmbathjet personale të tij, fakt që sipas mbrojtjes mbështet pretendimin se ai kishte shkuar aty për të qëndruar.

Edhe pse në pamje nuk dallohet qartë data dhe ora e regjistrimit, videot tregojnë se personat njihen mes tyre dhe komunikojnë lirshëm.