'Spitali i Përmetit pa mjekë, Rama planifikon qendër për emigrantët'/ Banorët: Po na lënë të vdesim pa kujdes mjekësor

Në qytetin e Përmetit, situata shëndetësore dhe ekonomike po përkeqësohet nga dita në ditë. Spitali i qytetit funksionon pa mjekë specialistë, ndërsa pensionistët dhe banorët e zonës përballen me rrezik real për jetën, jo vetëm për mungesë shërbimesh mjekësore, por edhe për shkak të çmimeve të larta të ilaçeve dhe ushqimeve.

Në vend që të rrisë investimet në shëndetësi, qeveria ka vendosur që pjesa veriore e Spitalit të Përmetit të rikonstruktohet dhe të shndërrohet në një qendër pritjeje për emigrantët nga vendet e treta, duke i hequr qytetit hapësira dhe mbështetje të domosdoshme mjekësore.

LEXO EDHE: Qendra të reja pritjeje? Balliu: Shqipëria, korridor i pakontrolluar për emigrantët, cenohet siguria kombëtare!

Banorët shprehen se ndihen të braktisur nga institucionet, dhe deklaratat e tyre tregojnë qartë përmasat e krizës:

“Këtu asgjë nuk është në rregull. Nuk kemi mjekë, nuk kemi kujdes shëndetësor. Po plakemi duke pritur ndihmë që nuk vjen.”

“Çmimet janë bërë deri në Kinë. Ne nuk kemi mundësi, ata që kanë jetojnë ndryshe, por ne të varfrit mezi mbahemi me pensionet.”

“Shkojmë nga Përmeti në Tepelenë për të marrë ilaçe. Vetë bileta e autobusit është 4 mijë lekë. Si të kurohemi kur s’kemi as para për të shkuar deri atje?”

Këto zëra pasqyrojnë realitetin e hidhur në të cilin ndodhen të moshuarit dhe familjet me të ardhura të ulëta.

LEXO EDHE: 28 qendra në vend/ Berisha: Shndërrimi i Shqipërisë në autostradë emigrantësh është një barbari, është dorëzimi i tyre në kthetrat e mafias

Ndërsa spitali ka mungesë të thellë të personelit mjekësor, qeveria ka vendosur që investimet të shkojnë në rikonstruktimin e një hapësire të spitalit për të strehuar emigrantë. Ky vendim ka ngritur shqetësime serioze mes banorëve, që shprehen se po trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Në Përmet, ku shtresa e të moshuarve është dominuese, rritja e çmimeve i ka vështirësuar edhe më shumë përballjet e përditshme. Pensionet minimale nuk mjaftojnë për ushqimet bazë, energjinë elektrike apo medikamentet.

Përmetarët kërkojnë vetëm atë që u takon: mjekë, ilaçe, shërbime shëndetësore dhe vëmendje nga shteti. Ndërkohë, vendimi i qeverisë për të kthyer spitalin në qendër për emigrantët shihet nga banorët si një provokim dhe shpërfillje totale ndaj nevojave të qytetit.