EMRI/ Vrasja në Elbasan, arrestohet një person - Në kërkim autori kryesor i ekzekutimit
Renaldo Gjini që u shoqërua dje është arrestuar nga policia e Elbasanit pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla mbrëmjen e 30 nëntorit 2025.
Gazetari Elton Qyno, i syri.net mëson sipas burimeve se policia ka shoqëruar dhe po merr në pyetje edhe një tjetër person si të dyshuar si bashkëpunëtor në sigurimin e kushteve për të kryer vrasje.
Të njëjtat burime pohojnë se një person i tretë është shpallur në kërkim, i dyshuar si autori kryesor i vrasjes.
Vrasja e biznesmenit 43 vjeçar duket se është drejt zbardhjes, ndërsa grupi hetimor ka dyshime se shkak është bërë një konflikt i tij kohët e fundit.
Lexo dhe: Mond Mëhalla 3 vite në hetim për pastrimin parash, prokuroria më pas kërkoi pushimin e dosjes
Arrestimi i Gjinit
Gjini u shoqërua ditën e djeshme (1 Dhjetor) dhe po verifikohet në kuadër të hetimeve për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla.
Ai dyshohet se ka përdorur gjatë ditëve të fundit automjetin tip Audi, që është identifikuar nga hetuesit si makina e përdorur në ngjarjen kriminale.
Renaldo Gjini është fiksuar nga kamerat e sigurisë në Rrugën e Kombit, në momentin kur kryente pagesën te trau i autostradës, duke lëvizur me të njëjtin automjet.
Ndërkohë, policia ka kryer kontrolle në banesën e tij, me qëllim mbledhjen e provave të mundshme që lidhen me çështjen.