'Kam një info dhe e shes, a e do?' Si efektivi i Antiterrorit bënte pazar me sekretet hetimore

Në të tjera biseda të zbuluara nga dosja hetimore, efektivi i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, rezulton se bënte pazar me informacionet hetimore. Pas kontaktit me Denis, alias Dario Myftiu, për të ofruar informacionet, ata vendosën të takoheshin më vonë.

Në një bisedë me një person tjetër, që duket të jetë njohësi i përbashkët mes Haxhiajt dhe Myftiut, ish-oficeri i shkruan: “Kam një informacion dhe e shes, e do apo jo? Në të kundërt, nëse refuzohet, nuk ka përse të takohet me Myftiun.”

LEXO EDHE: 

'Je në përgjim familjarisht...' Si oficeri i policisë, Haxhiaj, i shërbente grupit të Elvis Doçit

Pjesë nga dosja hetimore:

8AIVIH: “He file, ça bëhet, u lidhe me?”

I. Haxhiaj: “O zemra, a ike ti? Jo vëlla, më tha takohemi të hënën, s’jam duke u marrë me të. Do i them: kam një info dhe e shes, a e do? Po se deshi, skam çfarë takohem me atë.”

Në këtë bisedë midis Igli Haxhiaj dhe përdoruesit me kodin 8AIVIH, ata diskutojnë përsëri lidhur me shtetasin Dario Myftiu, duke iu referuar takimit të planifikuar dhe konfirmuar se flasin për të njëjtin person. Gjithashtu, Haxhiaj shprehet qartë se veprimet e tij kanë pasur qëllim përfitimin monetar:

“Do i them, kam një info dhe e shes, a e do?”

Nga këto biseda provuar, rezulton se përdoruesi me kodin 8AIVIH është njohësi i përbashkët i Dario Myftiut dhe Igli Haxhiajt, personi që Haxhiaj e përmend si “shok i përbashkët” në komunikimet e tij.