Mori në 'qafë' shefen/ PLUG denoncoi për herë të parë aferat e Evis Berberit

Emisioni investigativ 'Plug' në Syri Tv, 26 nëntor 2025 

Këtu pjesa e katërt: 33 milionë euro tendera, leje ndërtimi për hotel dhe panele diellore/ PLUG denocoi '5B' e Ceno Klosit dhe Spartak Kovaçit

Pjesa e pestë

Por, para Ceno Klosit dhe çdo afere që lidhet me drejtorët e Belindës, ‘Plug’ ka investiguar njeriun që mori në qafë shefen e tij, Evis Berberin. Në mars të vitit 2024, ‘Plug’ publikoi një emision, ku tregonte sesi kreu i ARRSH, tashmë i arrestuar nga SPAK, kishte firmosur mbi 4 milionë euro tendera për kompaninë e tij dhe ortakut të tij, Valter Begaj.

Në datën 20 mars 2024, Emisioni “Plug” në Syri Televizion, publikoi për herë të parë një investigim për ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi. Ky shtetas, sot është bërë nyja gordiane e korrupsionit të Belinda Ballukut me tenderat e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri. Evis Berberi u arrestua një vit më parë, teksa dyshohet se nëpërmjet prestanomes, Valter Begaj, kishte krijuar dy kompani, DAAM shpk dhe NET Group shpk, me anë të cilave merrte tendera publik, madje edhe nga institucioni që ai drejtonte. Në total, janë rreth 4 milionë euro tendera supervizimi, që Evis Berberi firmosi për kompaninë NET group, që drejtohej nga miku i tij i aferave, Valter Begaj.

Nga të dhënat e publikuar në emisioni “Plug”, rezulton se Evis Berberi ka fshehur jo vetëm marrëdhënien financiare me shoqërinë “DAAM shpk” dhe “NET-GROUP”, por njëkohësisht ai dyshohet se është në kushtet e mashtrimit me formularin e deklarimit të pasurisë.

Në vitin 2019, Evis Berberi u emërua Këshilltar i Belinda Ballukut në Ministrinë e Infrastrukturës, kur në të njëjtën kohë ai ishte pronar i shoqërisë “DAAM shpk”.

Këtë kompani, Evis Berberi e shiti te shtetasja Brunilda Buli për vlerën e 500 mijë eurove, në ditën që ai u punësua Këshilltar i Ballukut. Por nga verifikimi i formularit të deklarimit të Pasurisë, rezulton se Evis Berberi nuk e ka deklaruar kurrë shitjen e shoqërisë “DAAM shpk”, si dhe të ardhurat e përfituara prej saj, ndonëse ky është një detyrim ligjor.

Pikëpyetje ngrihen edhe për figurën e shtetases Brunilda Buli, e cila rezulton se është shoqe e ngushtë e bashkëshortes së Evis Berberit.

SPAK nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj Brunilda Bulit, ndonëse ajo rezulton të jetë e përfshirë direkt në aferën e Evis Berberit. Brunilda Buli rezulton gjithashtu se ka qenë bashkëpronare në shoqërinë LEAD Consultin”, që ka pasur aksioner edhe shtetasin Ardit Kane dhe Anisa Omari. Brunilda Buli dhe Anisa Omari ia kanë dhuruar aksionet e tyre në vitin 2021 shtetasit Ardit Kane, i cili u bë aksioner i vetëm i LEAD Consulting.

Edhe kjo shoqëri rezulton se ka marrë dhjetëra tendera nga ARRSH dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Te ky i fundit, rezulton se punon bashkëshorti i Anisa Omarit, Ermir Omari, duke shtuar dritëhijet edhe për veprimtarinë e kësaj shoqërie.

Ndërkohë në emision u sollën me fakte rastet kur Evis Berberi firmosi si kreu i ARRSH firmosi disa tendera me vlerë totale më shumë se 4 milionë euro për kompaninë e mikut të tij Valter Bega, NET-GROUP.

Siç ka rezultuar nga hetime e SPAK, shoqëria NET-GROUP transferonte paratë më pas në llogaritë e DAAM SHPk, nga llogaritë bankare të së cilës Evis Berberi ka tërhequr dhjetëra herë shuma në vlerë qindra mijëra euro, ndonëse nuk ishte më pronar i saj. Për këtë aferë janë arrestuar kreu i ARRSH Evis Berberi dhe dy miqtë e tij, Valter Begaj dhe Ervis Lami./Syri.net/