Projektimi, ndërtimi dhe supervizimi/ PLUG zbardhi të plotë aferën 200 milionë euro të Tunelit të Llogarasë

Emisioni investigativ 'Plug' në Syri Tv, 26 nëntor 2025 

Këtu pjesa e parë: E pandehura Balluku 'luftë' me Edi Ramën kundër SPAK/ Shtatë orë ngujim pas masave të sigurisë

Pjesa e dytë

Mirëmbrëma! Po fillon Plug! Kryeministri Edi Rama e cilëson pezullimin e Belinda Ballukut si rasti i parë në botë kur një zyrtar i zgjedhur merr masë sigurie për pezullim, teksa është në detyrë, edhe pse kjo nuk është e vërtetë!

Por kryeministri Edi Rama me vetëdije të plotë po e bën Shqipërinë, ndoshta të parin vend në botë, kur drejtësisë po i kundërvihet me pushtetin e dhënë nga qytetarët, e për çfarë, kundër akuzave për skandale korruptive.

Por a do të gjejnë forcën prokurorët dhe gjyqtarët, që të bëjnë punën të pandikuar nga forca e pushtetit absolut që gëzon sot Edi Rama? Le ta shohim!

Ajo që sot në Plug ne do të shohim janë aferat korruptive të Belinda Ballukut dhe ushtarëve të saj, që duket se nuk përmblidhen vetëm tek Tuneli i Llogarasë apo njëri prej Loteve të Unazës së Tiranës. Vetëm emisioni ‘Plug’ në vitin e fundit, ka denoncuar afera të dyshuara korruptive, dhe që SPAK i ka sot në tryezë, jo pak por një një vlerë totale prej 633 milione eurosh, e theksoj vetëm ato që emisioni ‘Plug’ ka transmetuar.

Do ta nisim me aferën më të fundit, Tunelin e Llogarasë, ku të dy tenderat, si ai 190 milionë euro për ndërtimin, por edhe tenderi për supervizimin rezultuan me shkelje, e sipas përgjimeve me fitues të paracaktuar!

Tuneli i Llogarasë

Në datën 5 nëntor, pak ditë pasi Belinda Balluku u mor e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë, emisioni ‘Plug’ hodhi dritë mbi fakte të zbuluara më parë nga kjo aferë. ‘Plug’ publikoi të dhëna që faktojnë aferën e Tunelit të Llogarasë.

Tenderi i parë i zhvilluar në vitin 2020 për ndërtimin e tunelit, u anulua nga Belinda Balluku, pa asnjë shkak të qenësishëm. Ashtu sikundër është faktuar tashmë dhe nga hetimet e SPAK, ‘Plug’ tregoi se në tenderin e parë, kompania Gjoka ofroi rreth 140 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, por tenderi u anulua.

Tenderi për Llogaranë do të merrte kthesë tjetër, pasi në muajin qershor të vitit 2020, Kryeministri Edi Rama, Ministrja Balluku dhe ish-zëvendëskyreministri Arben Ahmetaj, do të zhvillonin një vizitë në Turqi ku u takuan me pronarët e kompanive turke, që më pas u shpallën fituese për tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Takimi është zhvillua në datën 3 qershor në Ankara, ndërsa 21 ditë më pas, është bërë dhe rishpallja e tenderit me vlerë të fondit limit prej 190 milionë eurosh. Së bashku me tenderin e Supervizimit dhe tenderin e projektimit, Tuneli i Llogarasë ka kushtuar rreth 200 milionë euro në total.

Përpara mbajtjes së tenderit kyresor, është zhvilluar një tjetër tender, që sipas investigimit të ‘Plug’ rezulton të jetë një skandal më vete.

Tenderi i supervizimit

Më datën 20 qershor 2022, qeveria zhvillon tenderin për studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të tunelit të Llogarasë. Ky tender kishte vlerën e fondit limit prej 7.4 milionë eurosh me tvsh. Projekti që do ti hapte rrugë edhe tenderit ka kushtuar 7. 4 milionë euro, por që në start, edhe mbi tenderin e përzgjedhjes së studios projektuese hidhen hije të forta dyshimi.

Në garë morën pjesë disa kompani, ndërsa në të paktën dy raste, dy nga kompanitë pjesëmarrëse ishin në shkelje të ligjit, pasi krijuan dy bashkime operatorësh. Në përfundim, fitues u shpallën bashkimi i pesë operatorëve që ofroi vlerën më të lartë të tenderit, ndërsa disa  prej kompanive që u futën në garë u shtuan gjatë rrugës pasi nuk ishin pjesë e garës në tenderin fillestar.

Skandali kryesor qëndron pikërisht te tenderi kryesor, ai me vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e  Tunelit të Llogarsë. ‘Plug’ ka faktuar se kompanitë turke Interkar-ASL, që fituan këtë tender, nuk përmbushnin disa nga kriteret e dokumenteve standarde të tenderit. Gjithashtu, njësoj si në rastin e inceneratorit të Tiranës, kompanitë e Tunelit të Llogarasë, u regjistruan në Shqipëri vetëm në momentin që lidhën kontratën, apo vetëm një javë nga nisja zyrtare e punimeve për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, Tuneli i Llogarasë nisi të ndërtohej pa u miratua leja e ndërtimit, e deri në miratimin e kësaj të fundit, ministria disbursoi 15 milionë euro për kompanitë turke. Nga ana tjetër, leja e ndërtimit nuk u zbardh kurrë deri në 28 maj të vitit 2025, çfarë nënkupton se të gjitha punimet u kryen pa leje ndërtimi.

Tenderi për gërmimin

Por skandalet e kësaj afere nuk përfundojnë këtu. Gjatë investigimit, ‘Plug’ gjeti një tjetër kompani nënkontraktore e cila ka kryer një ndër proceset me thelbësore. Gërmimin për hapjen e tunelit e ka bërë pikërisht ‘Via koncstruksion’.

Kjo kompani, u themelua në vitin 2021 nga një i ri që kishte punuar si agjent shitjesh, ndërsa për punimet në ndërtimin e tunelit të LLogarasë ai mori 7.5 milionë euro. Për këtë kompani ngrihen hije të forta dyshimi se mund të jetë përdorur për qarkullimin e parave, ndërsa i mbetet SPAK të hetojë.

Por jo vetëm kjo. Në projektin fillestar, siç e shikoni në ekran veç ndërtimit të tunelit prej 6 kilometrash, ishin parashikuar edhe dy ura në dy daljet e tij, për të cilat ishin detajuar edhe kostot.

Por në fund, njëra nga këto dy urat, që projektuesit e kishin parashikuar si urë të varur e me një këmbë, që krijonte efekte panoramike, është zhdukur dhe në finale as nuk është ndërtuar, ndërkohë që ishte një prej zërave më të kushtueshëm të këtij projekti.

Pas gllabërimit të 190 milionë eurove, siç në çdo procedurë të këtij projekti, Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë harruar edhe një element tepër të rëndësishëm, kolaudimin e Tunelit të Llogarasë.

Këto punime nuk janë kolauduar pasi nuk ka ekzistuar një kolaudator që të kryente vlerësimin, e për pasojë, çdo shqiptar që do të kaloj në të duhet të lus Zotin që vjedhja e 190 milionë eurove të jetë e keqja më e madhe për të.

Një javë më vonë, emisioni investigativ ‘Plug’ në syri Televizion, publikoi detaje të reja nga afera e tunelit të Llogarasë.

‘Plug’ solli detaje në lidhje me mos ndërtimin e dy urave të parashikuara në projekt, një prej të cilave me gjatësi 110 metër. Sipas të dhënave rezulton se në Preventivin e kërkuar për dorëzimin e ofertes në tender, bashkimi operatorëve INTEKAR-ASL kanë paraqitur dhe kostot për çdo zë, përfshi ato për ndërtimin e urave, gërmimet, sistemi drenazhimit apo dhe sistemi i ndriçimit.  Ura e zhdukur është përdorur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, si një kleçkë për të skualifikuar nga gara konsorciumin e kompanive ‘Concord Engineering & Contracting’, ‘Alb-Building sh.p.k.’, dhe ‘Alb-Star sh.p.k.’, me ofertë 15.848.808.298.78 lekë, apo rreth 30 milionë euro më pak se bashkimi i operatorëve turk që u shpallën fitues.

Pra sa faktohet dhe nga hetimet e deritanishme të Prokurorit Dritan Prençi, këto ura e sidomos ura nr.2 e cila do të ishtë mbi 110 M e gjatë, u përdor madje edhe nga kryeministri Edi Rama për promovimin e projektit të tunelit. E kjo Urë ishte një kusht thelbësor për kompanitë garuese, por që për konsorciumin turk u mbyllën të dy sytë.   Edhe pse Intekar-Asl, nuk e kishin eksperiencën e duhur për ndërtimin e kësaj ure, edhe pse nuk kishin numrin e punonjësve të kërkuar për këtë ndërtim dhe pse nuk kishin asnjë makineri, kjo nuk e pengoi Belinda Ballakun që ti shpallte fitues duke çuar deri në fund pazarin e bërë në takimin e datës 3 qershor 2021 në Ankara.

Në dosje, SPAK ka shtrirë hetimet edhe mbi një kompani të huaj, Hill International. Kjo kompani mbërriti në Shqipëri me bujë si konsulente e paguar nga Bashkimi Europian për të konsultuar qeverinë shqiptare në projektet madhore infrastrukturore. Nga një brand ndërkombëtar i reklamuar nga Edi Rama, si asistenca europiane në Shqipëri, dokumentet e SPAK na tregojnë se Hill International ka përfunduar në ortake e Elvis Berberit në abuzimin me tendera, duke përfshirë edhe supervizimin e Tunelit të Llogarasë.

Pra sipas asaj që shkruan prokurori në dosje konsulenti ka ndryshuar kriteret me shkresë të datës 30.12.2020, ndërsa Viola Haxhiademi i ka miratuar 6 ditë më parë, në datën 24.12.2020 duke shtyrë dhe afatin e tenderit.

Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se Kompania Hill është përzgjedhur nga Komisioni Europian në kuadër të programit, të Veprimit IPA 2015 për asistencën ndaj Shqipërisë në kuadër të mbështetjes së një vendi që ka hyrë në procesin e integrimit dhe kohëzgjatja e këtij programi, pra asistencës që Hill do ti jepete qeverisë shqiptare do të zgjasnin për 36 muaj. 

Por pas nisjes së aktivitetit në Shqipëri, kompania ‘Hill International NV’ ka përfituar disa tendera nga institucionet që janë në varësi direkte të Ministres Balluku, përfshi ARRSH dhe Fondin shqiptar të Zhvillimit. Ndërsa erdhi në Shqipëri si një brand ndërkombëtar me eksperiencë në BE e SHBA, ‘Hill International’ në këtë vit do të rezultoj pjesë e rrjetës korruptive të projekteve shqiptare.

Sipas dokumenteve zyrtare të sekuestruara tashmë nga SPAK, kompania “Hill Internacinal N.V” e inxhinierit Grek dhe “Net Group” e Valter Begaj, në total ka përfituar në 14 transaksione të bëra nga Ministria e Infranstrukturës, 1 miliard e 979 milion lekë, apo rreth 2 milione euro, ndërsa këto veprime ngrejnë dyshime se kompania mund të jetë në kushtetet e konflikit të interesit. Për këtë, ‘Plug’ u është drejtuar me kërkesë për informacion Bashkimit europian dhe OLAF. /Syri/net/