Sarandë/ Reshjet gjatë natës shkaktojnë përmbytje, rrëshqitje dherash dhe rrugë të pakalueshme
Nata që kaloi ishte e rënduar në qarkun e Delvinës për shkak të reshjeve të dendura me intensitet të lartë. Rruga Delvinë - Kardhiq gjatë natës ishte e pakalueshme, ndërsa mëngjesi solli hapjen e saj.
Situata më e rëndë është regjistruar në Çukë, ku argjinatura është çarë dhe uji ka përmbytur fushat. Një mjet zjarrfikës që ishte nisur për punë tek pularia “Butrinti” Farm është rrëzuar dhe zhytur në ujë.
Probleme të reja vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në zonën e Delvinës, për shkak të prurjeve të dherave dhe gurëve.
Bashkia Konispol po përballet gjithashtu me rrëshqitje dhe rënie dherash dhe gurësh brenda qytetit. Në aksin rrugor Shkallë - Konispol - Qafë Botë, rrëshqitjet e dherave e kanë bërë rrugën të pakalueshme.
LEXO EDHE: Sarandë/ Çahet argjinatura e lumit Bistricë në Çukë, përmbyten pesë banesa e toka bujqësore
Lumi Pavllo ka dalë nga shtrati dhe ka bllokuar rrugën nacionale në vendin e quajtur Vilë, ndërsa ura që lidh fshatin Shalës dhe zonat përreth, përfshirë Markat, Ninat dhe Janjar, është shembur, duke izoluar banorët.
Autoritetet po monitorojnë situatën dhe paralajmërojnë banorët për kujdes të shtuar në zonat e përmbytura dhe të rrezikuara nga rrëshqitjet.