'Fermerët e Konispolit në alarm'/ Zejno: Mandarina e pastër, por tregu bllokuar

Fermerët e Konispolit po përballen me një situatë kritike, ndërsa mandarina e prodhuar në këtë zonë mbetet e pashitur për shkak të lajmeve mbi praninë e pesticideve. Zona jugore e Shqipërisë është prodhuesja dhe eksportuesja më e madhe e mandarinës në vend, me rreth 1000 hektarë të mbjella dhe një prodhim vjetor prej rreth 60.000 tonësh, që përkthehet në mbi 30 milionë euro.

Lulzim Zejno, një nga fermerët e zonës, shpjegon se edhe pse lajmet flasin për prani të pesticideve të ndaluara, të gjitha analizat e kryera deri tani kanë rezultuar të pastra.

"Fermerët kanë filluar të bëjnë analizat për produktet e tyre, dhe deri tani të gjitha kanë dalë të pastra. Nuk ka asnjë produkt shqiptar të kthyer në këtë kohë," thotë Zejno, duke theksuar se është e padrejtë të penalizohet e gjithë zona për disa raste të veçanta.

LEXO EDHE: Shero: Mandarina ka super cilësi dhe analiza tregojnë zero pesticide, por tregu europian është i ngrirë

Ai bën thirrje që institucionet të fokusohen te kontrolli i farmacive bujqësore dhe importi i lëndëve të ndaluara, në vend që të detyrojnë 1000 fermerë të kryejnë analiza individuale që shtojnë kostot e prodhimit.

Sipas tij, analiza të sakta dhe të verifikuara mund të ruajnë tregun dhe reputacionin e mandarinës së Konispolit, e cila është e njohur për cilësinë e saj të lartë dhe kërkesa nga tregjet e Bashkimit Europian.

Situata ka bërë që fermerët të mos vjelin pemët në kulmin e prodhimit, ndërsa makineritë në pikat e grumbullimit të mbeten të fikura, duke rrezikuar kolapsin e sezonit të këtij viti.