'Çmimet në qiell, xhepat bosh', Qytetarët e Vlorës ankohen për rritjen e frutave dhe perimeve
Prej vitesh, banorët e Vlorës përballen me një problem të përditshëm që po rëndon gjithnjë e më shumë ekonominë familjare çmimet e larta të frutave dhe perimeve. Në tregjet e qytetit, një kilogram domate kushton shumë më tepër se në zonat prodhuese, ndërsa diferenca mes çmimit të fermerit dhe atij të tregut po bëhet gjithnjë e më e madhe.
Qytetarët shprehen të indinjuar, duke theksuar se rritja e pandalshme e çmimeve nuk përputhet me të ardhurat që marrin, sidomos pensionistët dhe punonjësit me paga minimale.
“Pagat janë njësoj, por çdo javë tregu bëhet më i shtrenjtë. Askush nuk kontrollon, dhe ne paguajmë si në Evropë, por jetojmë si në Shqipëri”, thonë disa prej tyre.
LEXO EDHE: SYRI TV/ Tregu i Tepelenës pa kushte, bashkia hesht! Tregtarët: Paguajmë taksa, asnjë investim
Nga ana tjetër, tregtarët pranojnë se kostot janë rritur, transporti, qiratë e vendeve të tregtimit dhe mungesa e kushteve ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final për konsumatorin.
Në mungesë të një tregu të organizuar me standarde dhe kontroll real nga institucionet, qytetarët e Vlorës duket se do të vazhdojnë të përballen me çmime të larta për produkte që shpesh nuk garantojnë as cilësi, as freski.