PL: Liria e shtypit në rrezik, media shqiptare nën presion politik dhe ekonomik
Sekretarja e marrëdhënieve me publikun, Arla Merja, në një deklaratë për media tha se gjendja e medias në Shqipëri po përkeqësohet ndjeshëm, duke u shndërruar në një shqetësim serioz për funksionimin e demokracisë dhe të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur. Ajo u referua në raportin më të fundit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet, i cili evidenton një regres të thellë në fushën e lirisë së shtypit, duke theksuar se shumica e mediave perceptohen si të lidhura me Partinë Socialiste në pushtet dhe se autonomia editoriale mbetet e cënuar nga ndikimet politike dhe ekonomike.
Merja shtoi se Televizioni Publik Shqiptar dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk gëzojnë pavarësi reale, duke reflektuar një varësi të qartë nga qeveria dhe një orientim të linjës editoriale pro-qeveritare. Ajo gjithashtu përmendi presionin e vazhdueshëm ndaj gazetarëve, sulmet verbale e fizike, pengesat në aksesin ndaj informacionit dhe përdorimin e padive gjyqësore të tipit SLAPP për të frikësuar zërat kritikë ndaj qeverisë.
Në këtë kontekst, Merja theksoi rëndësinë e përpjekjeve të opozitës për dekriminalizimin e shpifjes dhe për të siguruar mbrojtjen e gazetarëve, si dhe rolin e institucioneve rregullatore dhe shoqërisë civile në forcimin e pluralizmit, pavarësisë dhe etikës profesionale të medias.
Deklarata e plotë:
Te nderuar qytetarë!
Gjendja e medias në Shqipëri po përkeqësohet ndjeshëm, duke u shndërruar në një shqetësim serioz për funksionimin e demokracisë dhe të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur. Raporti më i fundit i OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet, i prezantuar gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, evidenton një regres të thellë në fushën e lirisë së shtypit.
Sipas raportit, shumica dërrmuese e mediave në vend perceptohen si të lidhura me Partinë Socialiste në pushtet, ndërsa autonomia editoriale mbetet e cënuar nga ndikimet politike dhe ekonomike.
Në mënyrë të veçantë, Televizioni Publik Shqiptar dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive përmenden si institucione që nuk gëzojnë pavarësi reale, duke reflektuar një varësi të qartë nga qeveria dhe një orientim të linjës editoriale pro-qeveritare.
Situata në terren për gazetarët është përshkruar si tejet problematike. Ata përballen me presion të vazhdueshëm, sulme verbale e fizike, madje edhe nga zyrtarë publikë, si dhe me pengesa serioze në aksesin ndaj informacionit, përfshirë kufizimin e pjesëmarrjes në konferencat për shtyp dhe mungesën e transparencës nga ana e institucioneve qeveritare.
LEXO EDHE: SYRI TV/ Raporti final i OSBE- ODIHR për 11 majin: Patronazhistët presion punonjësve publik
Një tjetër shqetësim i theksuar në raport është agjencia e mediave pranë zyrës së Kryeministrit, e cila, sipas OSBE/ODIHR, ka kufizuar rrjedhën e lirë të informacionit dhe ka shërbyer si mekanizëm për koordinimin e një mesazhi të njësuar pro-qeveritar, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore.
Një formë tjetër presioni ndaj gazetarëve mbetet përdorimi i padive gjyqësore të tipit SLAPP, që synojnë frikësimin dhe heshtjen e zërave kritikë ndaj qeverisë.
Në këtë kontekst, përpjekjet e opozitës për dekriminalizimin e shpifjes dhe heqjen e saj nga Kodi Penal përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së gazetarëve dhe forcimit të lirisë së shprehjes.
Ne kërkojmë nga qeveria shqiptare të garantojë transparencë të plotë në shpërndarjen e fondeve publike për reklamat dhe mbështetjen mediatike, duke shmangur çdo formë presioni ose ndikimi politik.
Institucionet rregullatore dhe organet e medias të zbatojnë standardet ndërkombëtare për pluralizëm, pavarësi dhe etikë profesionale.
Shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë të monitorojnë me vëmendje situatën dhe të mbështesin përpjekjet për forcimin e gazetarisë së lirë e të përgjegjshme.
Ne i bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, organizatave të medias dhe partnerëve ndërkombëtarë që të ndërmarrin veprime konkrete për të garantuar pavarësinë e plotë të mediave, mbrojtjen e gazetarëve nga presioni politik dhe transparencën në komunikimin publik.
Liria e shtypit nuk është privilegj, por themel i demokraci