PLUG/ 'Humori' Erion Isait me taksat, 7 milionë euro shpërdorime për ndërtim ujësjellësash

Emisioni Investigativ ‘PLUG’ – 29 tetor 2025 në Syri TV 

Këtu pjesa e parë e PLUG: 
 'Pls Zjarrrr', miqësia e Erion Isait me Entela Çanon, zbardhet korrupsioni në bashkinë Ersekë

Më poshtë pjesa e dytë 

Deri më tani, treguam atë që SPAK ka gjetur nga hetimet për ndërtimin e Ujësjellësit të Kozelit. Entela Çano i dhuron Erion Isait një projekt për rrugën Korçë Ersekë, dhe si shpërblim merr pas disa tendera nga kryebashkiaku i Kolonjës. Madje, jo vetëm kaq, por Erion Isai i lë dorë të lirë mikeshës së tij inxhiniere, që të vendos vetë krieteret e pjesëmarrjes në garë dhe kompanitë që do të kishte rivale. Por, ajo që Erion Isai dhe Entela Çano duket se nuk kanë llogaritur, është fakti se veprimet e tyre do të shkaktojnë pasoja të rënda financiare për buxhetin e shtetit, të cilat janë konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. 

Tenderi për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Ersekës nga burimet e Kozelit, u shpall në datën 12 gusht 2020, ndërsa fituesi u shpall në datën 7 tetor 2020. Fituese rezultoi kompania ANK, e biznesmenit Agim Kola, i cili ndërtoi edhe Rrugën Korçë-Ersekë sipas projektit të falsifikuar të Entela Çanos. Vlera e këtij tenderi ishte rreth 5 milionë euro me TVSH, ndërsa projekti, u hartua nga kompania M.A.K Studio e shtetasit Tomor Spahiu, për të cillin Plug do të vijojë investigimet në emisionet në vijim. 

Sipas një auditimi të Kontrollit të LArtë të Shtetit, kryer në Ministrinë e Financave në vitin 2020, reuzlton se Bashkia e Kolonjës prokuroi ndërtimin e ujësjellësit të ri të Ersekës nga burimet e Kozelit, pas pasur fonde të mjaftueshme.

Në vitin 2020, qeveria shqiptare kishte parashikuar rreth 39 milionë euro fonde për ndërtimin e disa ujësjellësave në Bashkitë e Vendit. Sipas të dhënave, qeveria do të mbështeste edhe bashkinë e Kolonjës me rreth 99 milionë lekë, apo rreth 1 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësit.

Por ndryshe nga sa parashihte qeveria, Erion Isai vendosi të tenderojë plotë 497,280,095 lekë për ndërtimin e Ujësjellësit të ri të Ersekës nga burimet e Kozelit, ndërsa afati i përfundimit të punimeve ishte dy vjet. Por, Sipas KLSH, Erion Isai, i ka shtrirë këmbët më shumë sesa kishte jorganin, duke shkelur ligjin  nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar në të cilin është përcaktuar që “Nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme mund të ndërmarrë angazhime të reja gjatë vitit buxhetor, por jo më vonë se data 15 tetor e çdo viti buxhetor...”.

Fondet e detajuara për këtë projekt investimi në muajin Korrik 2020 të vitit 2020 të cilat kaë mbetur të pa ndryshuara paraqiten si në tabelën e mëposhtme: Ndertim ujesjellesi per qytetin Ersekë dhe fshatrat, Faza e II-të nga Burimet e Kozelit vlera në muajin Korrik është 99,600,000 dhe vlera në muajin dhjetor është 99,600,000 lekë. Pra deri këtu është e qartë që Erion Isai ka shkelur së paku ligjin për Menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë. këtë e konstaton KLSH, e cila shprehet se kjo shkelje e Erion Isait shkakton një borxh prej 3 milionë eurosh për bashkinë Ersekë.

KLSH
“Ndërtim ujësjellësi për qytetin Ersekë dhe fshatrat, Faza e II-të nga Burimet e Kozelit, nuk rezulton i parashikuar në PBA 2020-2022 dhe është kontraktuar nga Bashkia Kolonjë në shumën 497 milion lekë me afat zbatimi 24 muaj. Nga auditimi konstatohet se shpërndarja e buxhetit sipas viteve nuk përputhet me afatin kohor të zbatimit të punimeve prej 24 muaj. Fondet e detajuara për këtë projekt investimi në muajin Korrik 2020 të vitit 2020 paraqiten në shumën 99.6 milion lekë dhe në PBA 2021-2023 vlera totale e parashikuar për tu financuar paraqitet në shumën 189.6 milion lekë. Për rrjedhojë diferenca paraqitet angazhim pa fonde buxhetore në shumën 307.7 milion lekë"
 

KLSH ka shkuar tre vjet me radhë në Bashkinë e Kolonjës duke audituar Erion Isain, ku ndër  dhjetëra shkelje me pasoja të rënda financiare, janë dhe ato për ndërtimin e ujësjellësave

Në një raport të vitit 2022, KLSH shprehet se Erion Isai ka shkelur ligjin për buxhetin e shtetit, në lidhje me ndërtimin e ujësjellësit të ri të Ersekës nga burimet e Kozelit.

KLSH
Nga auditimi konstatohet se sipas formularit të njoftimit të fituesit dhe fondet e regjistruara në SIQ sipas viteve, dhe shpërndarja e buxhetit sipas viteve, nuk përputhet me afatin kohor të zbatimit të punimeve prej 24 muaj duke krijuar detyrime të prapambetura për vitet në vijim pasi shpërndarja e fondeve të investimeve është përtej periudhës së faturimit të punimeve, si dhe kontrata është lidhur më vonë se data 15 tetor në kundërshtim me Ligjin për Buxhet. Nga auditimi konstatohet se për kontratën më sipër është kaluar limiti 3- vjecar i financimit të kontratës duke mos respektuar përcaktimet e bëra në ligjin për buxhet, ku citohet se e drejta për të kryer shpenzime mund të zgjatet përtej vitit buxhetor, por jo më shumë se 3 vjet pas përfundimit të vitit buxhetor, si dhe për rrjedhojë do te cojë në lindjen e detyrimeve të prapambetura të pa shmangshme në periudhat e më vonshme.

Në të njëjtin raport, KLSH ka gjetur një tjetër shkelje të Erion Isait, i cili ka shpërdoruar 20 milionë lekë duke bërë përllogaritje të pasakta në vlerën e fondit limit, që do të prokurohej për ndërtimin e ujësjellësit të ri të Ersekës duke shkelur VKM  nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

KLSH
Bashkia Kolonjë ka realizuar përllogaritje të pasaktë të fondin limit të kontratës, pasi fondi i vënë në dispozicion nga AKUM është 498,000,000 me TVSH ose 415,000,000 pa TVSH, me një diferencë prej 1,963,458 lekë (416,963,458 - 415,000,000) më tepër. Veprimi i mësipërm ka ardhur si rezultat i mos heqjes së TVSH-së, për Makineri dhe pajisje. Sa më sipër konstatohet shkelje të VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik.


Sikur të mos mjaftonte falja e 20 milion lekëve ndaj kompanisë fituese për ndërtimine Ujësjellësit të Kozelit, Bashkia e Kolonjës, ka paguar para edhe për punime të pakryera.

Në vitin 2023, KLSH ka kryer një tjetër inspektim në bashkinë e drejtuar nga Erion Isai, rezulton se nga auditimi i zbatimit të punimeve të ndërtimit të kontratës për punë publike me objekt “Ndërtim i ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshatrave Faza e Dytë nga burimet e Kozelit” Bashkia Kolonjë, me vlerë 497,280,095 lekë me TVSH, fituar nga  “ANK” Sh.P.K, rezultuan diferenca në volume dhe punime ndërtimi, në vlerën 290,800 lekë pa TVSH. Për këtë arsye KLSH i ka lënë detyrë të menjëhershme bashkisë  Kolonjë të arkëtojë vlerën prej 290,800 lekë pa TVSH nga shoqëria ANK shpk.

Nga të dhënat e thesarit, rezulton se Erion Isai ka paguar shumën e 497 milionë lekëve, apo më shumë se 5 milionë euro për llogari të kompanisë ANK shpk, në lidhje me punimet e ndërtimit të ujësjellësit të ri të Ersekës nga burimet e Kozelit.

Shpërdorimet e financave publike nga Erion Isai janë dhe më të mëdha. Raporti i KLSH i vitit 2024, tregon se janë të pesë raste ku kryebashkiaku i Kolonjës ka paguar dhjetëra mijëra euro pagesa për punime të pakryera ndaj kompanive që kanë ndërtuar disa ujësjellësa në Kolonjë.

Konkretisht, Erion Isai i ka falur 942,303 lekë pa TVSH apo gati 11 mijë euro me TVSH kompanive Arkonstudio Shpk & 4 A-M Shpk, për punimet që këto dy kompani nuk i kanë kryer kurrë në projektin “Rikonstruksion i rrjetit të brendshëm dhe të jashtëm të furnizimit me ujë të qytetit të Leskovikut. gjithashtu këto kompani, deri në vitin 2024, nuk kanë vendosur nuk kanë vendosur në punë disa pajisje të scadës, ndërsa vlera e dëmit përllogaritet në rreth 4.4 milionë lekë, apo 45 mijë euro.

Edhe për projektin e ndërtimit Rrjeti shpërndarës i furnizimit me ujë në 14 fshatrat e Kolonjës, Erion Isai ka paguar një shumë prej rreth 13 mijë eurosh pa tvsh për punime të pakryera ndaj kompanisë AGI KONS..

KLSH ka gjetur se janë shpërdoruar edhe 12 mijë euro pa tvsh për kolaudimine punimeve të projekteve të ujësjallësave në fjalë. 

Nga përllogaritjet e emisionit Plug, rezulton se vetëm për punime të pa kryera kurrë në katër projektete ujësjëllsash, Erion Isai ka paguar plotë 8,211,344 lek apo rreth 83 mijë euro. Pra, thënë ndryshe, bamirësi kryetari bashkisë së Ersekës, Erion Isai, jo vetëm që ka tenderuar projektet e ujësjellsave me dokumentete të dyshuara të falsifikuara, apo duke prokuruar punë publike në shkelje të ligjit të buxhetit të shtetit, por është bërë bamirës ndaj kompanive që kanë fituar tenderat, duke u falur një faturë prej 83 mijë eurosh për punime të pakryera. 

Nëse kjo nuk duket një shumë e madhe, skandali është dhe më i madh pasi po sipas një hetimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryer në vitin 2024, Erion Isai dhe drejtorët e tij, kanë abuzuar me rreth 7 milionë euro tendera vetëm për ujësjellësat. 

KLSH
Kryetari i Bashkisë Kolonjë, të analizojë dhe të nxjerrë përgjegjësitë për kualifikimin e ofertave ekonomike të cilat nuk plotësojnë kriteret e kërkesave kualifikuese të Dokumenteve Standarde të Tenderit, me pasojë përdorimin pa efektivitet dhe eficencë të fondeve publike për vlerën 713,328,744 lekë pa TVSh. - Komisioni i Vlerësimit të Ofertave gjatë procedurës së vlerësimit duhet të vlerësojë të vlefshme dhe të kualifikojë një ofertë vetëm kur ajo është në përputhje me të gjitha kërkesat dhe specifikimet e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe dokumentet e tenderit që autoriteti kontraktor ka vlerësuar të nevojshme, duke shpallur fituese ofertën me çmimin më të ulët, kur ky i fundit është kriteri përcaktues.

Këtu pjesa e tretë e PLUG/ SKANDALI ‘5D’ NË ERSEKË - Erion Isai ‘qerasi’ drejtorin Spiro Zoto me 210 mijë euro për vitin e ri