Shkodër, atentati ndaj specialistit të Hetimit Tatimor, arsyeja e shpërthimit ende e paqartë

Mbeten ende të paqarta arsyet e shpërthimit me lëndë plasëse në qytetin e Shkodrës. Atentati kishte në fokus shtetasin Enea Buzukja, specialist monitorimi në Hetimin Tatimor Shkodër. Lënda plasëse u vendos në një motor të parkuar afër automjetit me të cilin do të lëvizte 38-vjeçari Enea Buzukja në lagjen “Ndoc Mazi”.

Sapo punonjësi i tatimeve ka dashur që të futet në automjetin e tij, ka ndodhur edhe shpërthimi i telekomanduar i motorit.

Fatmirësisht, Buzukja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, teksa ka një plagë në dorë.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona për t'i marrë në pyetje dhe për të zbuluar më shumë rreth hetimeve, por ende nuk ka të dhëna për autorët e vendosjes së eksplozivit.

LEXO EDHE: EMRI/ Shpërthim me tritol në Shkodër, plagoset punonjësi i tatimeve

Zona ku ka ndodhur ngjarja, pranë banesës së të plagosurit, ka biznese dhe banesa me kamera sigurie. Sipas burimeve, dyshohet se dy persona kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.

Gjatë marrjes në pyetje para oficerëve të policisë së Shkodrës, Buzukja ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd, ndërsa një prej pistave që po heton policia është ajo e punës së tij si specialist monitorimi në Hetimin Tatimor Shkodër.

LEXO EDHE: FOTO/ Tritoli shpërtheu në garazhin e... I plagosuri në spital, jashtë rrezikut

Kujtojmë se rreth 1 orë pas ngjarjes, një automjet u gjet i djegur në zonën e Postribës, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët për të lëvizur pas lëndës plasëse, por kjo është e pakonfirmuar deri tani nga policia.

Mjeti po ekzaminohet në laboratorin e policisë për të gjetur gjurmë apo prova materiale që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.