'Mazhoranca 'ka vrarë' funksionin e parlamentit', Gazetari: Dumani fshihet pas sekretit hetimor...
Gazetari Everest Dedaj, i ftuar në studion e emisionit “Kafe Shqeto”, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë dhe debatin parlamentar me kreun e SPAK, Altin Dumani. Dedaj u shpreh se mënyra se si mazhoranca po e trajton funksionin e parlamentit është qesharake dhe njëkohësisht e dhimbshme, pasi po i hiqet funksioni bazë i debatit dhe transparencës.
“Në gjykimin tim, dhe ajo që duhet theksuar sa i përket pyetjes suaj që lidhet me procedurat parlamentare, në fakt jo vetëm që është qesharake, por edhe e dhimbshme, kur mendon që mazhoranca i ka hequr funksionin kryesor për të cilin është parlamenti,” – tha Dedaj.
LEXO EDHE: 'Tigri 1 e Tigri 3' Pse po zgjat me vite hetimi për Ballukun? Dumani: Çështjet janë në hetim
Sipas tij, vetë fjala “parlament” vjen nga e folura, një arenë ku debatohet dhe shprehen mendime, ndërsa sot ajo është kthyer në një parlament me “shkresa”, ku pyetjet bëhen me shkrim dhe shumë prej tyre humbin rrugës ose nuk lexohen fare.
“Tashmë nuk kemi më një parlament real, por një parlament me shkresa, me pyetje me shkrim dore, çka u reflektua më pas me problematika të ndryshme. Disa pyetje humbën rrugës, disa të tjera nuk u lexuan. Është absurde që për një drejtues të një institucioni të pavarur të mblidhen 60-70 pyetje dhe të mos ketë asnjë rend apo rregull në leximin e tyre,” – u shpreh gazetari.
Dedaj theksoi se ky është një proces i komanduar nga mazhoranca, me qëllim shmangien e pyetjeve që lidhen me drejtësinë, një prej shtyllave më të ndjeshme të shtetit dhe të opinionit publik.
LEXO EDHE: Qesharake: BE bllokon fondet se Dumani nuk heton, ai thotë që kushtëzohemi nga autoritetet e huaja
Në lidhje me përballjen me kreun e SPAK, gazetari tha se Dumani është komod në raport me pyetjet e deputetëve, pasi mund të fshihet pas sekretit hetimor, duke mos dhënë asnjë përgjigje konkrete për çështjet që prekin interesin publik.
Everest Dedaj:
"Në gjykimin tim, dhe ajo që duhet theksuar sa i përket pyetjes suaj që lidhet me procedurat parlamentare, në fakt jo vetëm që është qesharake, por edhe e dhimbshme, kur mendon që mazhoranca i ka hequr funksionin kryesor për të cilin është parlamenti.
Nëse e analizojmë vetë fjalën “parlament”, ajo vjen nga e folura, pra një arenë debati dhe një hapësirë ku mbahen fjalime për çështje të ndryshme.
Por tashmë, nuk kemi më një parlament të tillë, por një parlament me “shkresa”, pra me pyetje me shkrim dore, çka u reflektua më pas edhe me problematika të ndryshme, ku disa pyetje humbën rrugës, e disa të tjera nuk u lexuan fare.
Është absurde që për një drejtues të një institucioni të pavarur të mblidhen 60-70 pyetje dhe të mos ketë asnjë rregullsi apo rend logjik në leximin e tyre.
Kjo tregon se ka qenë një proces i komanduar nga mazhoranca, me qëllim për të shmangur pyetjet reale që lidhen me një prej shtyllave kryesore të shtetit dhe drejtësinë.
Dhe kjo ndodh jo vetëm për arsye politike, por edhe për shkak të ndjeshmërisë që ka opinioni publik mbi këtë çështje.
Sa i përket debatit në raport me SPAK-un, edhe pse ky institucion trajton vetëm një përqindje të vogël të çështjeve gjyqësore në Shqipëri, ai është institucioni ku shkojnë çështjet më thelbësore, që lidhen me zyrtarët e lartë të vendit.
Pa dyshim që kreu i SPAK është komod në raport me pyetjet e deputetëve, pasi mund të përdorë si justifikim sekretin hetimor, duke iu shmangur pyetjeve që kanë interes të drejtpërdrejtë publik për atë që duhet të dijë opinioni.
Unë nuk jam nga ata gazetarë që entuziazmohen kur disa emra shkojnë para drejtësisë në raport me politikën, sepse nëse i shohim statistikisht, janë goditje të lehta ndaj disa zyrtarëve të lartë të mazhorancës.
Por ajo që duhet theksuar është se asnjëri prej tyre nuk është hetuar realisht për korrupsione të mëdha, edhe pse këto çështje përmbajnë akuza shumë të rënda.
Kjo do të thotë se, të paktën në këtë këndvështrim, unë e shoh si problem serioz.
Pa dyshim që një seancë parlamentare duhet t’i shërbejë thelbit të opinionit publik, për të dëgjuar realitetin, por fatkeqësisht nuk i shërben çështjeve reale, të cilat duhet të marrin zgjidhje në vijim".