Bashkia Vlorë harron lagjen “Kushtrimi”, 300 familje mes baltës e ujërave të zeza ende presin rrugën e premtuar
Vlora shpesh shfaqet si një qytet modern, me fasada të reja, Lungomare të ndriçuar dhe investime publike që promovohen si shembuj të zhvillimit. Por përtej pamjeve turistike, ekziston një tjetër realitet, ai i lagjeve të harruara, ku jeta e përditshme është e mbushur me baltë, ujëra të ndenjura dhe mungesë të infrastrukturës bazë.
Një prej tyre është lagjja “Kushtrimi”, ku mbi 300 familje jetojnë prej vitesh në kushte të vështira. Rrugët janë të amortizuara, ndërsa çdo shi e kthen zonën në një kënetë. Kanalizimet nuk funksionojnë dhe ujërat e zeza derdhen në sipërfaqe, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin e banorëve.
LEXO EDHE: SYRI TV/ 30 vjet pa investime, lagjja ‘Kushtrimi’ në Vlorë: Ankesat tona nuk janë dëgjuar
Gjatë fushatave elektorale, përfaqësues të qeverisë dhe të pushtetit vendor kanë premtuar disa herë ndërhyrje. Madje është vendosur edhe një tabelë projekti për rikonstruksionin e rrugës “Pusi i Mezinit”, me vlerë 33.7 milionë lekë dhe afat zbatimi gjashtëmujor, por punimet nuk kanë nisur kurrë.
“Janë ndërruar tetë kryetarë bashkie. Të gjithë kanë ardhur, kanë marrë vota dhe janë larguar. E kemi humbur besimin,” thonë banorët.
Një grua tregon:
“Një ditë vajta për të blerë bukë dhe thyeva dorën në atë rrugë. Është fatkeqësi. Edhe ministri Piro Vengu erdhi, na premtoi se rruga do të bëhej, por asgjë s’ka ndryshuar.”
LEXO EDHE: SYRI TV/ Rrugë me gropa e tubacione të dëmtuar, lagjja 'Kushtrim' në Vlorë si 'mesjetë'
Ndërsa një tjetër banore shton:
“Kam dy muaj që kam hequr allçinë. Tre herë jam rrëzuar për shkak të rrugës. Kështu nuk jetohet.”
Përballë zhvillimeve dhe turizmit modern që promovon Vlora, lagjja Kushtrimi mbetet dëshmia e dhimbshme e një qyteti me dy realitete — një të ndritshme për kamerat dhe një tjetër, të harruar në baltë.