60-vjeçari në Kolonjë jeton prej një viti në barakë, mes mungesës së ndihmës dhe premtimeve të pambajtura të bashkisë

Një 60-vjeçar nga Leskoviku, në Bashkinë Kolonjë, jeton prej gati një viti në kushte tepër të vështira, në një barakë të improvizuar. Fatmir Mbreshtani, i sëmurë dhe pa të ardhura të qëndrueshme, thotë se prej muajsh pret që t’i përfundohet banesa e nisur nga bashkia, por ndërhyrjet janë ndalur dhe askush nuk i jep një përgjigje.

LEXO EDHE: SYRI TV/ Familja Bramati mes skamjes dhe vuajtjeve, Bashkia Kolonjë u hoqi edhe ndihmën ekonomike

Fatmir Mbreshtani, 60 vjeç, banor i Leskovikut, prej afro një viti është i detyruar të jetojë në një barakë të ndërtuar me materiale të thjeshta, në mungesë të plotë të kushteve minimale për jetesë. Ai mbijeton vetëm falë një ndihme mujore prej 7 mijë lekësh të rinj, që i jepet nga Bashkia Kolonjë.

Historia e tij nisi një vit më parë, kur ndërtesa ku banonte u shpall e dëmtuar dhe bashkia mori përsipër riparimin e saj. Sipas planit fillestar, punimet duhej të përfundonin brenda dy muajsh, por ndërhyrjet u ndalën pas rregullimit të çatisë dhe disa punimeve të pjesshme në pjesën e brendshme. Banesa mbeti e papërfunduar, pa dyer, pa dritare dhe e pabanueshme.

LEXO EDHE: SYRI TV/ Fshati Qinam i harruar nga bashkia Kolonjë: Prej 30 vitesh asnjë investim në fshat

Që prej tetorit të vitit 2024, Fatmiri është zhvendosur në një barakë të vogël, ku kalon ditët mes të ftohtit dhe mungesës së ndihmës. Ai tregon se ka kërkuar disa herë informacion pranë zyrave të Bashkisë Kolonjë për fondet dhe arsyet e pezullimit të punimeve, por është larguar çdo herë pa marrë një përgjigje.

Ndërkohë, mobiliet dhe pajisjet elektro-shtëpiake të tij janë dëmtuar gjatë ndërhyrjeve dhe kanë dalë jashtë funksioni. Me afrimin e dimrit, gjendja e 60-vjeçarit bëhet edhe më e rëndë, pasi baraka ku jeton nuk ofron asnjë siguri dhe rrezikon të shembet nga era e lagështia.

Fatmiri apelon që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht për t’i siguruar një strehë të sigurt dhe për të përfunduar punimet e shtëpisë që, sipas tij, “kanë mbetur në mes të rrugës për shkak të neglizhencës dhe premtimeve të pambajtura.”