'Naftëtarët e Marinzës në ditën e 11-të të grevës': Po mbijetojmë me shpirt ndër dhëmbë, kërkojnë zgjidhje urgjente nga shteti dhe kompania
Në ditën e 11-të të grevës, punonjësit e sektorit hidrokarburik të “Bankers Petroleum” në Marinzë kanë qëndruar të ngujuar në zyrat e Sindikatës, duke protestuar për plotësimin e kërkesave të tyre. Në një deklaratë për media, ata shprehen se po “mbijetojnë me shpirt ndër dhëmbë”, përballë heshtjes së kompanisë dhe neglizhencës së institucioneve shtetërore.
Grevistët thonë se presioni psikologjik dhe intimidimi i ushtruar nga kompania ka qenë i fortë, duke detyruar disa punonjës që kishin aderuar në grevë të rikthehen në vendin e punës, madje duke kërkuar falje për të mos u përfshirë më në protestë. Megjithatë, ata sigurojnë se kjo nuk do të ndikojë në vendosmërinë e tyre për të vijuar grevën deri në plotësimin e kërkesave.
Dritan Rrapushi, një nga grevistët, thekson se “pa sindikata nuk ka demokraci” dhe se është koha që thirrja për mbrojtjen e dinjitetit të punonjësve të dëgjohet fuqishëm. Ai shton se situata e krijuar tregon qartë nevojën për përkrahje institucionale dhe ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit.
Në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e institucioneve, punonjësit kanë dërguar shkresa zyrtare Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit dhe Ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme dhe trajtim të prioritetit të çështjeve sindikale, sidomos në kontekstin e procesit të integrimit europian të vendit.
Grevistët paralajmërojnë se nëse kërkesat e tyre nuk adresohen, do të ketë përshkallëzim të protestës dhe mund të marrin forma më të gjera veprimi. Ata theksojnë se kjo është një kauzë për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të punonjësve, që nuk do të lihet pas dore.
Situata e krijuar në Marinë ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe institucioneve, duke rikujtuar tensionet që ekzistojnë në sektorin hidrokarburik dhe rëndësinë e dialogut konstruktiv midis punonjësve, kompanisë dhe shtetit.
Kërkesat e naftëtarëve drejtuar kompanisë Bankers
1- Rritja e fondit te pagave me 18% kjo shume te shpërndahet për punonjësit e fushës.
2 - Arritja e trajtimit ushqimor nga 9 mijë lekë ne 13 e 200 lekë.
3- Zbatimi i ligjit te statusit te naftëtarit.
4- Drejtësi e barazi në shpërblime.
5- Meritokraci në rritje në detyrë e pronovime
FOTO GALERI: