'Rastet e rënda të kancerit të gjirit rriten në Berat këtë vit', Mjekja: Diagnostikimi i hershëm i domosdoshëm
30 raste të reja të kancerit të gjirit në Berat këtë vit, shifrat në rritje.
Vetëm gjatë periudhës janar-tetor 2025, në Spitalin Rajonal të Beratit janë evidentuar 30 raste të reja të kancerit të gjirit, duke shënuar një rritje krahasuar me vitet 2023 dhe 2024. Ndër rastet e shfaqura ka pasur edhe pacientë me prognozë të rëndë.
Mjekja onkologe Eriselda Tahiraj njofton se me gjithë fushatat sensibilizuese të zhvilluara gjatë muajit Tetor në kuadër të “Tetorit Rozë”, që kanë për qëllim diagnostikimin e hershëm të kancerit tek gratë dhe nënat, rastet e prekura nga kjo sëmundje vijojnë të rriten.
“Moshat më të prekura variojnë nga 25 deri mbi 65 vjeç, ndërsa grupmosha më e shpeshtë është 45-55 vjeç. Komplikacionet varen nga stadi në të cilin sëmundja diagnostikohet dhe nga faktorë të tjerë, si ata hormonalë, të evidentuar nga ekzaminimet histo-patologjike. Kanceri i gjirit është multifaktorial dhe ndikojnë faktorë gjenetikë, mjedisorë, ushqimorë, stresi etj. Fushatat për diagnostikim të hershëm janë shumë të domosdoshme,” – tha mjekja Tahiraj.
LEXO EDHE: 2 gjërat që duhet të keni parasysh para se të bëni mamografinë
Spitali Rajonal ka vënë në funksion Repartin e Kimioterapisë, i cili zhvillohet një herë në javë.
Reparti ka kapacitet të plotë, përbëhet nga tre mjekë dhe tre infermierë, dhe mundëson kryerjen e të gjitha llojeve të terapisë kimike sipas standardeve bashkëkohore. Kjo ka shmangur nevojën e pacienteve për t’u drejtuar drejt Tiranës për trajtim.
“Kimioterapia ka filluar të kryhet me funksion të plotë që në shtator 2023 dhe rastet janë shtuar gradualisht. Spitali i Beratit mundëson trajtimin e të gjitha pacientëve në përputhje me medikamentet që disponon,” – theksoi mjekja Tahiraj.
Berati, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, klasifikohet ndër qytetet me incidencë të lartë të kancerit në përgjithësi dhe të kancerit të gjirit në veçanti, duke e bërë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit lokal një prioritet për komunitetin.