'Kur shoqëria s'edukon, prodhon viktima', Vataj: Lëvizja me armë, dështim i kontrollit institucional

Mirgit Vataj, Kryetar i Urdhrit të Punonjësve Social, në studion e 'Kafe Shqeto' në Syri Tv, analizoi gjendjen aktuale sociale dhe sjelljet e të rinjve në Shqipëri. Ai ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si po funksionon shoqëria në raport me edukimin e të rinjve, rolin e familjes dhe modelet që i ofrohen brezit të ri.

Vataj thekson se është momenti i ndërgjegjësimit dhe reflektimit, pasi shfaqen fenomene shqetësuese që përsëriten dhe nuk po marrin zgjidhje. Ai nënvizon problemin e indiferencës së shoqërisë ndaj këtyre dukurive dhe rëndësinë e ndërhyrjes së institucioneve për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

LEXO EDHE: 'Vrasje e dyfishtë në Manzë'/ Konflikti për një kafe përfundon me 2 të vrarë

Modeli i gabuar, familja dhe shoqëria, çelësat e krizës sociale

Në komentet e tij, Vataj vuri në dukje se problemet sociale kanë rrënjë të thella në modelin e edukimit, familjen dhe shoqërinë, duke sjellë pasoja të rënda si viktima të rinj me sjellje problematike. Ai theksoi se lëvizjet në orët e vona të natës dhe pranimi i armëve në mjediset e qytetit janë shqetësuese dhe tregues të mungesës së kontrollit dhe sigurisë.

Rëndësia e ndërhyrjes së institucioneve dhe kujdesi në rritjen e fëmijëve

Vataj bëri thirrje për një angazhim më të madh nga ana e institucioneve dhe familjeve, duke theksuar se askush nuk lind kriminel, por që kushtet ekonomike, sociale dhe modeli i edukimit ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e karakterit të të rinjve.

Deklarata e tij:

"Është një reflektim që ti e mendon dhe thua se ku po shkon shoqëria, çfarë po ndodh me ne. Aq më tepër kur bëhet fjalë për të rinjtë, sepse është një situatë mjaft e çuditshme, një ngjarje që përsëritet dhe unë nuk dua të tregohem parashikues, por them se është një moment që duhet të ndërgjegjësohemi dhe të mendojmë se çfarë modelesh po japim ne sot këtyre të rinjve dhe si po funksionojmë për t’i edukuar, evidentuar apo identifikuar ata të rinj që kanë këto sjellje, qoftë në banka apo në shkolla.

Edhe indiferenca që ne kemi si shoqëri në momentin që ndeshim të tilla lajme, e shikojmë dhe e komentojmë një ditë ose dy, por pastaj mbetemi po prapë në përsëritje kur ndodh lajmi i radhës.

Është për të ardhur keq që në të tilla situata po tregohemi një shoqëri indiferente, agresive dhe po japim modele jo shumë të mira, edhe për të rinjtë të cilët ne duhet t’i ndjekim apo të promovojmë modele që duhen ndjekur dhe duhet të jenë të suksesshme.

LEXO EDHE: 'Dua kafe patjetër' Zbardhet dëshmia e kamerierit, si nisi konflikti që përfundoi në dy të vrarë në Durrës

Është problem modeli, familja, shoqëria dhe pothuajse të gjitha këto janë problem. Përderisa kemi këto probleme, kemi edhe viktima më pas.

Ne po shkojmë drejt një shoqërie që po dështon në edukimin e brezave të rinj dhe që nuk po jep ato modele të mira dhe ato që duhet dhënë.

Mua më duket e papërceptueshme që disa prej të rinjve shkojnë dhe pijnë kafe me armë në vete, disa metra larg qytetit.

Suopzohet që lëvizjet në orët e vona të natës janë të kufizuara dhe një lëvizje në këto orë mund të jetë indikator që policia duhet të bëjë kontrolle.

Ajo që takon edhe ne që vijmë nga fusha sociale është se çfarë po ndodh në familje. Askush nuk lind kriminel. Janë faktorë ekonomikë, socialë etj., që ndikojnë dhe sa të kujdesshëm po tregojmë ne në rritjen e një fëmije sot?"