'S'kemi më durim për premtime boshe' – Minatorët e Spaçit në ditën e 14 të protestës: S' tërhiqemi pa zgjidhje!

Minatorët e minierës së Spaçit në Mirditë kanë dalë sërish në protestë këtë të mërkurë, (22 tetor 2025) pasi takimi i zhvilluar një ditë më parë me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë nuk solli një marrëveshje për zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike dhe reshjeve të dendura të shiut, protestuesit janë mbledhur në hyrje të kompanisë që në orët e para të mëngjesit, duke rikonfirmuar vendosmërinë e tyre për të vijuar bojkotin e punës derisa të kenë një zgjidhje konkrete.

LEXO EDHE: Protesta e minatorëve në Spaç: Mungesa e dialogut me kompaninë turke rrit pakënaqësinë, punonjësit vazhdojnë bojkotin e punës

Minatorët ndodhen tashmë në ditën e 14-të të bojkotit të punës, një protestë që ka paralizuar aktivitetin në minierë dhe që po zhvillohet me kërkesa të qarta:

Rritje e pagave dhe shpërblimeve për punën në kushte të vështira

Përmirësim i kushteve të sigurisë dhe pajisjeve të punës

Njohja dhe zbatimi i statusit të minatorit, i cili do t’u garantonte atyre mbështetje më të mirë ekonomike dhe sociale

LEXO EDHE: 'Policia më përplasi për tokë, më doli kocka e këmbës vendit' – Minatori i Spaçit: Kërkuam vetëm të drejtat tona!

Në deklaratat e tyre për mediat, minatorët kanë theksuar se janë të vendosur të mos tërhiqen derisa kërkesat të adresohen seriozisht nga qeveria dhe kompania.

“Nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë të na trajtojnë me dinjitet. Po punojmë në kushte shumë të vështira dhe nuk kemi më durim për premtime boshe,” – shprehen protestuesit.

Ende nuk ka një reagim të ri nga Ministria e Ekonomisë ndërsa tensioni mes palëve mbetet i lartë.