'Ngjarjet kriminale po trondisin Shkodrën', Imzot Giovanni Peragine: Të rinjtë rriten me idenë se respekti fitohet me forcë dhe frikë!

Nga mesha solemne në festën e ‘Zojës së Shkodrës’, arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Giovanni Peragine, dërgoi një mesazh të qartë dhe të fortë për shoqërinë shqiptare, duke marrë shkas nga ngjarjet kriminale që kanë tronditur qytetin në ditët e fundit. Ai paralajmëroi për rrezikun që dhuna të bëhet e zakonshme dhe për ndikimin negativ që ka mbi të rinjtë dhe strukturën e komunitetit.

LEXO EDHE: Besimtarët katolikë nisin kremtimet e festës së 'Zojës së Shkodrës'

Mesazhi i arqipeshkvit:

“Na mungon ‘vera’ e qetësisë, e besimit. Shumë shpesh hasim në gjakun e dhunës dhe ngjarje që kanë ndodhur edhe në qendër të qytetit, duke përfshirë njerëz të pafajshëm. Këto ngjarje plagosin komunitetin tonë, na frikësojnë dhe na bëjnë të ndihemi më pak të sigurtë. Ka rrezik që të mësohemi me këtë kulturë dhune, sikur të ishte e pashmangshme,” tha imzot Peragine.

Ai shtoi se po bëhet gjithnjë më e zakonshme që dhuna të shihet si rruga normale për zgjidhjen e konflikteve, veçanërisht për të rinjtë:

“Të rinjtë rriten me idenë se për të qenë të respektuar duhet të jenë më të fortë se të tjerët, të sundojnë dhe të shtypin. Kemi detyrë të edukojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë për paqen dhe dialogun, për të zgjidhur konfliktet pa i’u drejtuar dhunës.”

Thirrja për shoqërinë

Arqipeshkvi theksoi se komuniteti ka përgjegjësi të ofrojë modele të tjera për të rinjtë dhe të ndërtojë një kulturë të paqes:

“Kemi detyrën t’u ofrojmë të rinjve tanë modele të tjera, për t’i ndihmuar të rriten me respekt dhe solidaritet, jo me frikë dhe dhunë.”