Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Gazetarja Albione Zhitia raporton: Pjesëmarrje e lartë dhe garë e fortë në disa komuna kyçe

Procesi zgjedhor në Kosovë vijon pa incidente dhe me një pjesëmarrje në rritje nga ora në orë.

Qendrat e votimit janë hapur prej mëngjesit dhe deri në orën 15:00, sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, mbi 25% e qytetarëve me të drejtë vote e kanë ushtruar tashmë detyrimin e tyre qytetar.

Interesimi i lartë shihet si një sinjal i qartë se qytetarët duan realisht një ndryshim dhe janë të vendosur të ndikojnë në përbërjen e re të pushtetit vendor.

Në një lidhje “Skype” për edicionin informativ të mesditës në Syri TV, gazetarja Albione Zhitia raportoi nga Komisioni Qendror Zgjedhor në Prishtinë, duke sjellë të dhënat më të fundit mbi pjesëmarrjen dhe dinamikën e garës elektorale.

LEXO EDHE: Zgjedhjet në Kosovë/ Pjesëmarrja deri në orën 13;00 votuan 16.53 % e votuesve

Zhitia theksoi se procesi po zhvillohet i qetë, pa ndonjë incident që të cenojë integritetin e zgjedhjeve, ndërsa gara mbetet më e ashpër në disa komuna kyçe si Mitrovica, Prishtina, Podujeva dhe Drenasi.

"Qytetarët duan me të vërtetë një ndryshim të madh, dhe kandidaturat që janë në kryeqytet janë shumë të forta. Gara është e përqendruar te kandidatët e tri partive kryesore: Lëvizja Vetëvendosje, PDK, si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës"- u shpreh ajo.

Albione Zhitia:

"Aktualisht ndodhemi në Komisionin Qendror Zgjedhor në Prishtinë, ku nga atje kemi marrë statistikat e votuesve që kanë dalë deri në orën 15:00, që i bie 25.77% e pjesëmarrësve që e kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar në këto zgjedhje lokale.

Një numër jashtëzakonisht i konsiderueshëm krahasuar me 4 vite më herët.

Ajo që vlen të theksohet në këto zgjedhje është se nuk kemi ndonjë incident të shënuar deri në këto momente që do t’i vendoste një hije të errët këtij procesi zgjedhor.

Ajo që vlen të ceket është se gara është në 38 komuna, mirëpo është e përqendruar vetëm në disa komuna ku gara është shumë e ashpër, siç ishte në Mitrovicë, ku ishim edhe atje dhe shikuesit e Syri TV kanë pasur mundësi të shohin edhe deklaratën e kandidatit nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Peci, po ashtu edhe përfaqësuesit e shtabit të PDK-së, të cilët janë dy kampet kryesore që po garojnë në këto zgjedhje, edhe pse kemi edhe kandidatë nga partitë e tjera.

Fushata e kandidimit është fokusuar mes këtyre kandidatëve. Garë e ashpër është edhe në Prishtinë, në Podujevë, po ashtu edhe në Drenas, ku në këtë të fundit kemi më shumë gara brenda përfaqësuesve të PDK-së, por edhe përfaqësuesit Ramiz Radrovci, i cili është ndarë nga PDK dhe po garon si i pavarur në këtë mandat.

Këtu kemi një luftë brenda një partie, ndërsa në komunat e tjera gara është e hapur mes konkurrentëve të partive kryesore në Kosovë.

Qytetarët duan me të vërtetë një ndryshim të madh, dhe kandidaturat që janë në kryeqytet janë shumë të forta. Gara është e përqendruar te kandidatët e tri partive kryesore: Lëvizja Vetëvendosje, PDK, si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës".