Salla nr. 3, ku gjyqtari Kalaja u vra/ Shenja plumbash dhe një kurorë lulesh në vendin e krimit

Gazetari i Syri TV, Klajdi Bodlli, raporton sot nga salla nr. 3 e Gjykatës së Apelit, vendi ku një ditë më parë ndodhi ngjarja tragjike që i mori jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe la të plagosur dy qytetarë të tjerë.

Sipas informacioneve zyrtare, detektori metalik ka qenë funksional gjatë gjithë ditës së djeshme dhe vijon dhe sot të jetë funksional, ashtu siç ishte lajmëruar më herët nga policia. Rreth orës 13:42, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, kaluan pa probleme detektorin dhe u drejtuan për në sallën e pritjes për qytetarët, ku qëndruan deri në orën 15:29. Më pas, ata u futën në ambientet e Gjykatës së Apelit dhe shkuan drejt sallës nr. 3, ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë.

Sapo hynë në sallë ku gjyqtari Kalaja ka shpallur vendimin për çështjen e pronësisë Elvis Shkambi nxori armën dhe qëlloi me të paktën tre plumba, duke e lënë të vdekur gjyqtarin në vend. Salla, e vogël dhe vetëm rreth 5 metra katrorë, ndodhet në katin e parë dhe në atë moment ndodheshin disa persona, përfshirë edhe të plagosurit Ervis dhe Ragip Kurtaj.

LEXO EDHE: E trishtë/ Poezia që shkroi gjyqtari Astrit Kalaja 1 vitë më parë për nipin

Autori, pasi kreu vrasjen, doli në oborrin e Gjykatës dhe u arrestua aty nga forcat e policisë, pa bërë rezistencë. Ai është aktualisht nën hetim për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Në vendngjarje, siç raporton gazetari Bodlli, janë ende të dukshme shenjat e plumbave në tavolinën e gjyqtarit, kompjuterin e sekretarisë, si dhe në karriget brenda sallës, që tashmë është bërë simbol i një ngjarjeje tronditëse për drejtësinë shqiptare.