Prokuroria kërkon arrest me burg për 28 persona të ndaluar në operacionin kundër drogës në Elbasan

Mesditën e kësaj të mërkure, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan po zhvillohet seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj të ndaluarve gjatë megaoperacionit të koduar “First Day”.

Të arrestuarit janë sjellë me autobus nga Tirana në ambientet e gjykatës, nën masa të shtuara sigurie. Prokurori i çështjes, z. Xheljan Seferi, i ka kërkuar gjykatës vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg” për 28 prej të ndaluarve dhe “arrest në shtëpi” për 2 shtetas të tjerë.

Operacioni “First Day” – goditje e rrjetit të drogës në qarkun Elbasan

Operacioni u finalizua në fillim të kësaj jave nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda speciale. Objektivi i operacionit ishte goditja e një rrjeti të gjerë që merrej me shpërndarjen dhe tregtimin e lëndëve narkotike në të gjithë qarkun e Elbasanit, përfshirë qytetet Elbasan, Librazhd, Gramsh, Cërrik, Peqin, Belsh dhe Prrenjas.

Në total, u ekzekutuan 25 masa sigurie të llojit “arrest me burg”, ndërsa 5 shtetas të tjerë u arrestuan në flagrancë. Një person tjetër u procedua penalisht në gjendje të lirë.

LEXO EDHE: VIDEO/ Goditet rrjeti i shpërndarjes dhe tregtimit të drogës në qarkun Elbasan, 25 të arrestuar

Emrat e personave të ndaluar me masën “arrest me burg”:

Arjan Bica

Erist Skilja

Shyqyri Bica

Aizberg (Alket) Bitri

Filip Thoma

Hysen Grami

Gentian Tartari

Mikel Bezhani

Pjerin Qereshniku

Stivjo Bardhi

Domeniko Elezi

Mariglen Qosja

Shkëlzen Shkrepi

Bardhyl Grami

I. K.

M. E.

I. F.

Klodian Hakballa

Arben Kasa

Ilir Bahidi

Klajdi Çota

Franc Ruçi

Kevi Kanani

Marcelino Brahja

Panter Tafani

Të arrestuar në flagrancë:

J. A., 32 vjeç – “Prodhim dhe shitje narkotikësh”

A. T., 31 vjeç – “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, “Mbajtje pa leje e armëve” dhe “Ruajtje mallrash kontrabandë”

V. D., 36 vjeç – “Mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë”

N. D., 43 vjeç – “Prodhim dhe shitje narkotikësh”

L. Xh., 50 vjeç – “Prodhim dhe shitje narkotikësh”

Ndërkohë, ndaj shtetasit H. D., 57 vjeç, është nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Materialet e sekuestruara gjatë operacionit përfshijnë:

Sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike (kokainë dhe kanabis)

Armë zjarri të llojeve të ndryshme (pistoleta, kallashnikovë, armë gjahu)

Municion luftarak

Peshore elektronike, thika dhe përforcues grushti

Steka duhani të dyshuara si kontrabandë

Pajisje elektronike (laptopë, tabletë, DVR)

Targa automjetesh shqiptare dhe belge

Shuma të konsiderueshme parash në euro, paund, dollarë dhe franga zvicerane

24 telefona celularë

Sipas Policisë, të ndaluarit vepronin në mënyrë të organizuar në grupe të vogla ose individualisht, duke shpërndarë drogë në ambiente publike, shpesh pranë shkollave dhe lokaleve.

Policia ka bërë me dije se puna vijon për kapjen e edhe 14 personave të tjerë të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet mbeten të hapura për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë rrjet kriminal.