'Martini nuk u vra nga TikTok-u'/ Familja Cani: Kërkojmë drejtësi dhe masa nga qeveria për të mbrojtur fëmijët. Asnjë nënë të mos derdhë më lot
Një tjetër tragjedi goditi vendin tonë disa ditë më parë.
Një 14-vjeçar u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq, duke tronditur opinionin publik dhe duke nxjerrë edhe një herë në pah dështimet e rënda institucionale për garantimin e sigurisë së fëmijëve.
LEXO EDHE: Vritet me thikë 14 vjeçari në Maliq, pas sherrit mes dy adoleshentëve
Në një deklaratë për mediat, familja Cani thekson se djali i tyre, Martini, ashtu si edhe bashkëmoshatari i tij, 14-vjeçari në Maliq, nuk u vranë nga rrjetet sociale, por nga mungesa e theksuar e sigurisë, papërgjegjësia institucionale dhe dështimi i sistemit që duhet të mbrojë fëmijët.
"Mbyllja e TikTok-ut nuk ishte zgjidhje, por një pretekst politik," thuhet në deklaratë.
Familja ngre shqetësimin se përpjekjet e qeverisë janë më shumë simbolike sesa efektive dhe se vendimet e fundit, si bllokimi i një aplikacioni, nuk adresojnë thelbin e problemit.
"Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga një sistem që nuk funksionon, nga një realitet ku fëmijët nuk ndihen të sigurt as në shkollë, as në rrugë, as në komunitet," vazhdon deklarata.
Familja Cani kërkon masa konkrete dhe të menjëhershme: rritjen e sigurisë në shkolla, angazhim më të madh të komunitetit dhe prindërve, si dhe fuqizimin e sistemit të shëndetësisë mendore dhe sociale për të identifikuar dhe parandaluar raste të tilla përpara se të shndërrohen në tragjedi.
"Nëse dje ishte fajtor TikTok-u, sot kush është radhës? Snapchat? Instagrami? Apo do të gjejmë një tjetër justifikim për të shmangur përgjegjësinë reale?", ngre pyetjen me familja.
Në fund të deklaratës, ata shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit të vrarë dhe bëjnë thirrje për drejtësi dhe ndryshim të vërtetë: "Asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj."