Vrasja e Renis Dobrës, shoqërohet në polici dhe një vajzë
Detaje të reja lidhur me vrasjen e Renis Dobrës. Policia ka shoqëruar dhe një vajzë, e cila dyshohet se është e dashura e Fatjon Bushgjokës, një prej autorëve të dyshuar të krimit të ndodhur mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në Mat.
Ajo mësohet se u shoqërua gjatë operacionit për arrestimin e Fatjon Bushgjokës, i cili u vendos në pranga në Tiranë.
Shoqërimi i saj është bërë për të mësuar në lidhje me lëvizjet e Bushgjokës. I arrestuar është edhe Petrit Çakrri, i kapur në Lekbibaj të Tropojës ndërsa janë shpallur në kërkim Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, dy vëllezërit e Fatjonit.
Petrit Çakrri dhe 3 vëllezërit Bushgjoka dyshohen si autorët të krimit makabër. Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se Renis Dobra pak vite më parë kishte shërbyer si tregtar droge në Gjermani, për llogari të grupit kriminal që drejtohej nga 3 vëllezërit Bushgjokaj nga Tropoja.
Dyshohet se disa herë i riu nuk ka dorëzuar eurot e fituara nga shitja e kokainës, duke argumentuar para vëllezërve Bushgjokaj, se drogën e kishte hedhur në rrugë, ujë apo liqen, për arsye se po e ndiqte policia.