Has/ Shuhet plotësisht zjarri në zonën pyjore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj

Zjarri që ra pasditen e së enjtes në një sipërfaqe pyjore me pisha, në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj, njësi administrative Gjinaj, Bashkia Has, është shuar plotësisht.

LEXO EDHE: Has/ Zjarri përfshin zonat malore mes fshatrave Dome dhe Pogaj

Flakët përfshinë një pjesë të konsiderueshme të territorit pyjor, duke rrezikuar përhapjen në zonat përreth.

Për përballimin e situatës dhe shuarjen e zjarrit u angazhuan menjëherë:

10 punonjës të Shërbimit Pyjor,

5 forca të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Hasit me një automjet zjarrfikës,

4 efektivë policie,

7 punonjës të Bashkisë Has,

dhe 10 vullnetarë nga komuniteti.

Autoritetet lokale kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Ndërhyrja është vështirësuar nga terreni i thepisur dhe temperaturat e larta.

Bashkia Has ka qenë në gatishmëri prej disa ditësh për shkak të rritjes së rrezikut nga zjarret në pyje, si pasojë e temperaturave të larta të verës. Janë marrë masa parandaluese në terren dhe është bërë thirrje për sensibilizimin e banorëve në zonat me risk.

Megjithatë, mungesa e një sistemi të mirëorganizuar të vrojtuesve dhe sinjalizuesve të zjarreve në qarkun e Kukësit mbetet një nga problemet kryesore për menaxhimin në kohë të situatave të tilla.

Autoritetet apelojnë për një bashkëpunim më të ngushtë me komunitetin dhe institucionet përkatëse, në mënyrë që të shmanget përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.