Lobimi rus/ Berisha: Basha nuk shkon dot në SHBA se e arrestojnë

Zëri i Amerikës publikoi sot detaje nga raporti i inteligjencës amerikane, që thekson se Rusia ka dhënë mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende.

Një burim nga qeveria amerikane ka bërë pohimin e rëndë se mbi gjysmë milionë dollarë janë dhënë në vitin 2017 për Partinë Demokratike.

Bëhet fjalë për dosjen e famshme të lobimit rus, për të cilën është përgjegjës Lulzim Basha. PD u distancua nga kjo çështje, e cila mban firmën e Bashës.

Por ky i fundit i shpëtoi dënimit falë ndërhyrjes qeveritare. Megjithatë, ai nuk arriti të shkonte në SHBA, edhe pse vizita e tij ishte paralajmëruar.

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi dhjetorin e kaluar në Çim Peka LIVE se Basha i anuloi vizitat në SHBA pasi kishte frikë nga arrestimi.

“Një gjë ndodhi. Ky anuloi disa udhëtime në SHBA. Dhe unë kuptova që nuk i jepnin vizën. Këtë e kuptova shumë mirë. Kishte një seri arsyesh, por ky ka anuluar dy herë udhëtimet. Dhe tani vonë, para 3 javësh, një person që e priste atje, thotë dola ta pres me limuzinë dhe lule se po vinte, por morëm vesh se nuk erdhi për shkak se kishte frikë se do të arrestohej po të shkelte në tokën e SHBA. Pse nuk shkonte? Unë mendoja për disa shkaqe të tjera”, u shpreh Berisha, duke theksuar dosjen e lobimit.

“Ambasadori Lu më ka ardhur dhe më tha që paratë janë ruse. Unë e kundërshtova sepse besoja Lulzim Bashën. Dhe unë për këtë kam bërë 10 herë deklarata publike sepse besoja variantin që më shtronte Lulzim Basha. Nuk mund të besoja variantin e Donald Lu, dhe nuk mund të besoja që kryetari i partisë të shkonte deri në një akt të tillë derisa të paguhet nga rusët. Dhe në fakt paratë nuk janë ruse, këtu nuk jam gabuar. Por më vonë, një mik më mori në telefon nga Uashington dhe më tha që Lulzim Basha do të ndiqet penalisht. I thashë jo, sepse i besova Lulzim Bashës. Miku nuk u lidh më me mua, as unë me atë,” tha Berisha.