Jepet sot vendimi për dy ish-zyrtarët e FIFA, Blatter dhe Platini

Pas gjashtë vitesh hetime dhe dy javësh gjykime, Michel Platini dhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, do të dëgjojnë vendimin e gjyqtarëve gjatë ditës së sotme, për çështjen që ka kapërcyer caqet e botës së futbollit.

Në orën 10:00 CEST, gjyqtarët zviceranë do të shpallin vendimin e tyre për rastin. Prokurorët kanë kërkuar dënime me 20 muaj burg për të dy.

Prokurorët e akuzojnë Blatteri-n, një shtetas zviceran që e drejtoi FIFA-n për 17 vjet, dhe Platini-në, një ish-kapiten dhe menaxher i kombëtares së Francës, se janë organizuar në mënyrë të jashtëligjshme që FIFA t'i paguajë Platini-së dy milionë franga zvicerane (ose 1.8 milionë euro) në vitin 2011.

Të dy i mohojnë akuzat.

Blatter, 86 vjeç, kishte thënë se pagesa prej dy milionë frangash ishte një "marrëveshje xhentëlmenësh" midis të dyve, kur ai i kërkoi Platini-së të bëhej këshilltari i tij teknik në 1998.

Platini, 67 vjeç, ka punuar si konsulent midis 1998 dhe 2002 me një pagë vjetore prej 300,000 frangash zvicerane. Pjesa tjetër e pagës prej një milion në vit e Platini-së do të paguhej në një datë të mëvonshme, tha Blatter.

Prokurorët, megjithatë, kanë thënë se marrëveshja gojore mes dy burrave nuk ka ekzistuar kurrë dhe e kanë cilësuar atë si një "shpikje".

Kur Blatter e miratoi pagesën, ai po bënte fushatë për t’u rizgjedhur dhe Platini, në atë kohë President i UEFA-s, shihej se kishte ndikim te anëtarët evropianë që mund të ndikonin në votim.

Akuzat për keqbërje i dhanë fund mbretërimit të Blatter-it si President i FIFA-s dhe shkatërruan shpresat e Platini-së për ta pasuar atë, pasi të dy i larguan nga futbolli kur afera doli në dritë./ar.sh/SYRI.NET

Ish-drejtuesit e FIFA, Blatter dhe Platini, do të dalin në gjyq për korrupsion