Ofendoi gazetaren/ Mediat bullgare bojkotuan konferencën e Ramës dhe Vuçiç

Kryeministri Edi Rama lëshoi një përrua psikik një ditë më parë në Bruksel, duke ofenduar dhe sharë pa frena.

Komentet e tij sollën reagimin e ashpër të Bullgarisë, ndërkohë që ofendimeve të Ramës nuk i shpëtoi as një gazetare bullgare që po raportonte nga Brukseli. Rama iu turr me fyerje edhe asaj.

“Oh, Bullgaria këtu. Jeni rrëmujë ju djema. Një rrëmujë e madhe dhe jeni një turp teksa mbani peng dy vende të tjera të NATO-s. Nuk pres lajme të mira sot, sepse siç e thashë dje u ngrit optimizmi, por këtu jemi dhe është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari”, i tha Rama gazetares, e cila nuk ishte mësuar me gjuhën e një satrapi lindor.

Disa orë më vonë, Edi Rama doli në një konferencë për shtyp në një format krejt skandaloz, në krah të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit maqedonas, Kovaçeski.

Por asnjë media bullgare nuk ishte e pranishme në këtë konferencë.

Nuk dihet arsyeja se pse mediat kishin bojkotuar këtë takim, por gazeta bullgare Tribune shkruan se BNT, BTV, Nova TV dhe BNR kanë të gjitha korrespondentë në Bruksel. Por në konferencë nuk ishte asnjë prej tyre.

Për ironi, Rama vazhdoi të gërricej dhe në konferencën për shtyp pyeti nëse në sallë kishte gazetarë bullgarë, pasi do donte pyetje prej tyre.

Ndoshta ka shpresuar që të vazhdonte fyerjet, siç bën me mediat në Shqipëri, por gazetarët bullgarë nuk ia dhanë këtë shans.