Deputeti i PD ka 13 pyetje për Fleckenstein: Cili është më i forti i lagjes që mbledh vota?

Pas deklaratës së eurodeputetit Knut Fleckenstein se nuk e kupton kërkesën e opozitës për qeveri teknike, ka reaguar deputeti i PD Luçiano Boçi.

Ky i fundit, përmes një statusi në Facebook, i ka drejtuar 13 pyetje raportuesit për Shqipërinë në PE, Fleckenstein, në lidhje me blerjen e votave dhe futjen në Parlament të deputetëve me të kaluar kriminale.

Deklarata e deputetit të PD Luçiano Boçi:

Që Z. Fleckeinstein ta kuptojë kërkesën e PD për qeveri teknike, mqs është shprehur që nuk e kupton, duhet t'i japë më parë përgjigje këtyre pyetjeve fare të thjeshta:
- Sa euro kushton një votë në landin e tij?
- Si blihen votat në Gjermani?
- Sa banda operojnë në landin e tij për llogari të partisë-qeveri?
- Cili është më "i forti" i lagjes së tij që mbledh vota?
- A i ka uruar ndonjëherë "shefi", sipas humorit, "Suksese në jetë"?
- A fiton dot ai në zonën e tij nqs se i del përpara një "bos" droge a burgaxhi i sprovuar, apo killer famoz, se këtu jo e jo që nuk ka shanse?
- A ka gjasa të ketë kandidatë politikë me rekorde të thella kriminale në vendin e tij?
- A ka promovuar e përkrahur ai vetë, individë të tillë në politikë për Kryetarë Bashkish apo Deputetë?
- Sa ton hashash mbillen në Gjermani?
- Sa përqind merr policia nga aktiviteti i drogës në Gjermani?
- Sa miliarda euro nga ky aktivitet përdoren nga partitë politike për të marrë pushtet atje?
- Sa vendime merren "nën efekt" për interesa kriminale e plehrash në vendin e tij?
- Sa ministra janë ish punonjës të ish STAS-it, apo hetues për llogari të STAS-it?
Vetëm kaq i duhet. Shqipëria e siguroj, është vend përrallor, por nuk mund të përralliset!!!
Pas kësaj me shumë dëshirë do ia aprovoja këshillat e leksionet për demokracinë funksionale e parlamentare.