Efektivi i FNSH plagos qytetarin në Kombinat, policia fsheh ngjarjen
Burime për Syri.net konfirmojnë se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ka plagosur një qytetar në Kombinat.
Myrteza Lika, 60 vjeç, është qëlluar me një plumb në këmbë.
Ai është plagosur nga një efektiv i FNSH, i identifikuar si Lavdosh Gjyli.
Policia ka fshehur ngjarjen.
Në një njoftimin e shpërndarë për mediat rreth orës 21:20, thuhet se 60-vjeçari është plagosur në rrethana të paqarta.
Madje, policia e quajti të plagosurin me probleme të shëndetit mendor.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 23.05.2022, rreth orës 20:45, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, shtetasi M. L., rreth 60 vjeç, banues në Kombinat, i cili në rrethana ende të paqarta, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri.
Nuk dihen rrethanat nëse është vetëplagosur apo e kanë plagosur.
Paraprakisht dyshohet se ky shtetas vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
***
Pas denoncimit nga Syri.net, Policia e Tiranës ndryshoi deklaratën, duke pranuar se 60-vjeçari u plagos nga një efektiv policie, teksa ky i fundit kishte qenë i dehur.
"Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, i cili bën fjalë se në Kombinat është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi M. L., 60 vjeç, ju sqarojmë se:
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit, autori i kësaj ngjarje, shtetasi L. Gj., efektiv i FNSH-së, i cili gjatë kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur.
Grupi hetimor i krijuar nga Agjensia e Mbiikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes".
Plagosja në Kombinat ndodhi pak minuta para ngjarjes që tronditi kryeqytetin, teksa brenda komisariatit nr.3 në Tiranë, u vra një efektiv policie nga kolegu i tij. Ngjarja ndodhi pas një sherri verbal mes autorit dhe viktimës, në momentin e ndërrimit të turnit. Dy efektivët ishin efektivë të patrullës së përgjithshme të Policisë së Shtetit.