Rama 'merr' drejtimin e SPAK: Hetoni Berishën, unë i dërgoj për veshi...

Kryeministri Edi Rama e përdori foltoren e Kongresit të PS-së për të sulmuar drejtësinë sipas interesave të tij. Fillimisht bëri sikur drejtësia është e pavarur nga ai, por tha se është ai që i dërgon për veshi njerëzit te SPAK.

Duke folur për faktin se kaq shumë socialistë po bien në pranga, Rama tha: “Të gjatin nuk ia beson njeri kur thotë; ma bënë pas krahëve. Kush e beson? Se dukesh dhe si hajvan, dy metra e ca, ça është kjo?! Mos u çudisni që të më shohin mua ndonjë ditë te dera e SPAK me ndonjë nga këta prej veshi”.

Më pas ai i kërkoi SPAK që të hetojë liderin historik demokrat, Sali Berisha pas vendimit të marrë nga DASH.

“Ajo deklaratë është një gur në qafën e Shqipërisë. SPAK duhet t’ia heqë këtë gur Shqipërisë nga qafa”, tha Rama. “Si ka mundësi që asnjë gjykatës dhe asnjë prokuror i korruptuar, që i nxori vetingu jashtë me shqelma se kishin nga 7 shtëpi dhe 18 apartamente, nuk është hetuar”.

“Uroj vetëm një gjë, dhëntë Zoti që mbështetja jonë pa kushte, se s’ka bërë vaki në historinë e Shqipërisë që një shumicë kaq e fortë sa jemi ne, të mos e hapë gojën fare në asnjë nivel për asnjë lloj vendim duke e mbështetur symbyllur drejtësinë, po nuk kemi kontestuar asgjë në procese të hapura, dhëntë Zoti mos e lexojnë si dobësi prokurorët e SPAK. Ne vërtet kemi bërë një reformë që të kemi një drejtësi që sheh vetëm drejt, jo një reformë që të kemi një drejtësi që ha vetëm nga njëra anë se kjo nuk quhet drejtësi, kjo quhet diçka tjetër”, tha Rama. 

Edhe pse ishte Kongresi i PS, Rama foli për minuta të tëra për drejtësinë.

Më herët ai sulmoi SPAK se pse kishte dënuar një zyrtare socialiste.