Rama nuk ul taksat/ Gazetari: Qeveria fiton nga rritja e çmimit të naftës

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se do ketë rritje stratosferike të çmimit të karburantit. Ai shtoi se megjithatë nuk ka ndërmend të ulë taksat.

Por gazetari Gjergj Erebara në një analizë thekson se qeveria e ka në dorë të zbusë çmimin e naftës. Jo vetëm kaq, ai thekson se qeveria po fiton nga rritja e çmimit të naftës.

"Aktualisht, çmimi i naftës në Shqipëri është rritur kaq shumë jo se çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar është rritur në rekord historik, por për shkak se taksat në Shqipëri janë rritur në rekord historik.

Për shembull, në vitin 2008, çmimi i naftës në bursën e Londrës ishte 140 dollarë për fuçi ndërsa në Shqipëri, çmimi i naftës ishte 170 lekë për litër. Sot, ndonëse çmimi i naftës në treg ndërkombëtar vijon të jetë më poshtë se sa rekordi historik, çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 230 lekë për litër dhe ka gjasa do të rritet akoma më tej.

Shkaku për këtë situatë është që, gjatë viteve 2014-2017, ndërsa çmimi i naftës në treg ndërkombëtar ra në 30 apo 40 USD për fuçi, taksat në Shqipëri mbi karburantet, të vendosura nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, u rritën vazhdimisht dhe vazhdimisht. Taksa e parapëlqyer për t’u rritur nga qeveria quhet taksa e qarkullimit, e cila mbahet në lekë për litër nafte të importuar apo të prodhuar në vend. Në vitin 2013, kjo taksë ishte 7 lekë për litër ndërsa aktualisht është 27 lekë për litër. Barra e përgjithshme e taksave mbi karburantin u rrit nga afërsisht 60 lekë për litër në vitin 2010, në rreth 100 lekë për litër para se të fillonte kriza aktuale.

Jo të gjithë humbasin para nga rritja e çmimit të naftës. Qeveria, e cila takson me Tatim mbi Vlerën e Shtuar çdo litër naftë dhe të gjitha taksat e paguara për çdo litër naftë, ka gjasa do të arkëtojë miliona dhe dhjetëramiliona euro më shumë si pasojë e rritjes së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Duke qenë se taksat mbi naftën rriten pothuajse në proporcion me rritjen e çmimit të naftës, atëherë një rritje me, fjala vjen, 30% e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar do t’i japë qeverisë një rritje në të ardhura afërsisht 30%. Qeveria ka gjithashtu në dorë që t’i ulë taksat mbi karburantet, në mënyrë që një rritje çmimi në tregun ndërkombëtar me 30% të reflektohet në tregun shqiptar me një rritje të çmimit final me 10 apo 15%. Kjo natyrisht që nuk do të shkaktojë rënie të të ardhurave të qeverisë, por ama do t’i kursejë qytetarëve shuma të konsiderueshme parash, të cilat, këta të fyndit, do të kenë mundësinë t’i shpenzojnë në mallra dhe shërbime të tjera, me qëllim që dëmi i përgjithshëm në ekonomi nga stragflacioni, të jetë më i paktë.

Qeveria e ka jashtëzakonisht shumë të thjeshtë këtë punë: mjafton që të ngrejë kartonat në parlament dhe të fillojë të taksojë më pak importet e naftës për muajin pasardhës, me dakordësinë që, nëse çmimet rriten më tej, barra mbi karburantet të mbahet konstante," shkruan ai.