Kronologjia shokuese/ Masakër mbi demokratët protestues, asnjë i dëmtuar nga njerëzit e Bashës

Pak orë pasi ishte mbyllur protesta e 8 janarit, revista më e madhe gjermane dhe një nga mediat simbol për profesionalizmin, Spiegel do shkruante se nga brenda selisë u hodh gaz lotsjellës mbi protestuesit. Ky fakt kishte rënë në sy të shumë medieve të huaja.

Por ajo që ndodhi më pas i dha nota edhe më shokuese ngjarjes së rëndë.

Kështu, teksa përmasat e dhunës barbare të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës po bëhen gjithmonë e më të qarta, askush nuk ka treguar qoftë edhe një provë të vetme se dikush nga njerëzit e Lulzim Bashës të jetë dëmtuar.

Përkundrazi, ishte vetë roja i dorëhequr i PD-së, i cili tha se ishte larguar sepse në godinë kishte njerëz të armatosur.

Më pas, SYRI denoncoi me emra konkretë, se si njerëzit që po mbronin Lulzim Bashën në seli, duke dhunuar në mënyrë shtazarake demokratët, ishin kontingjent i krimit.

Ata hodhën në drejtim të protestuesve një lëndë të rrezikshme, që sipas ekspertëve dhe medieve të huaja është së paku gaz lotsjellës. Por edhe nëse është lëndë për fikjen e zjarrit, sërish bëhet fjalë për një kimikat të rrezikshëm për njeriun.

Jo vetëm kaq, por në drejtim të protestuesve u hodhën sende të forta, madje edhe xhama që mund të kishin rrezikuar jetën e tyre seriozisht.

Sulmit barbar të dyshes Basha-Rama nuk i shpëtuan as mediat. Madje edhe shumë qytetarë të Tiranës i ndjenë pasojat e helmit të rrezikshëm, sepse deri në qendër të kryeqytetit u përhap kjo lëndë e rrezikshme.

Ndërkohë edhe ajo përpjekje e Lulzim Bashës për të treguar se zyra e tij ishte sulmuar, rezultoi një manipulim i trashë, jo vetëm sepse protestuesit nuk u ngjitën në katin e dytë, por sepse SYRI solli prova se dëmi ishte bërë qëllimisht nga brenda.

Edhe sot, dy ditë më pas, kur demokratët po kurojnë plagët e dhunës ndaj tyre, nga grupi i Bashës nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur të dëmtuar, qoftë edhe me ndonjë gërvishtje.

Edhe çifti Salianji-Duma, që dolën në media që atë ditë për të treguar se ishin dhunuar, teksa Grida Duma hyri në seli me të paktën pesë truproja, sipas fotove të SYRIT, tregon se nuk kanë qenë të rrezikuar, madje po vazhdonin komunikimin normal në dritare.