Taulant Balla dhe Lulzim Basha në të njëjtën ditë i bëjnë thirrje SPAK të hetojë Berishën

Të hënën e fundit të vitit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla doli në një konferencë për median, ku bëri diçka që nuk ishte menduar dhe shkaktoi ironi në rrjetet sociale.

Ai mori në mbrojtje Lulzim Bashën, duke thënë se ndaj tij po shpifet për një takim mes tyre dhe Erion Veliajt. Por vetë Balla nuk e mohoi takimin, duke thënë se ata rastisën së bashku.

Më pas Balla bëri thirrje që SPAK të hetojë Sali Berishën. Pikërisht kjo thirrje erdhi në ditën kur Lulzim Basha kërkoi përmes sekretarit ilegjitim, Roland Bejko që SPAK të hetojë Sali Berishën.

Pasi foli për minuta të tëra sa të mira janë marrëdhëniet mes PD-së dhe PS-së, Balla kërkoi të njëjtën gjë si Basha, që SPAK t’u zgjidhë hallin e përbashkët, “Sali Berishën”.

Duket se darka e ngrënë te Irfani nga treshja Basha-Veliaj-Balla po jep efekt.

Është e qartë se ka një sinkronizim të Bashës dhe Ballës në luftën ndaj Berishës, ku kërkohet fort ndërhyrja e SPAK.

Dashuria Basha-Balla shkon edhe më tej kur ky i fundit citon Bashën për përgjegjësinë e Sali Berishës më 21 janar.

“Po bëhen 11 vite nga 21 janari. Ka pasur një reagim nga Basha që ka qenë bashkëpunëtor i Berishës. Ka qartësuar pozicionin e Berishës,” tha Balla, duke ‘harruar’ qëllimisht se Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm në atë kohë.