A po afron një luftë mes SHBA dhe Kinës? Tensionet kapin majat

SHBA dhe Britania e Madhe po hasin kritika në rritje në lidhje me një pakt të ri sigurie që kanë nënshkruar me Australinë. 

Pakti i quajtur AUKUS synon që të furnizojë Australinë me 8 nëndetëse bërthamore dhe me të tjera teknologji të larta ushtarake.

Edhe pse nuk përmendet Kina, qëllimi i këtij pakti është kundërvënia ndaj Pekinit në këtë rajon.

Pekini ka reaguar me zemërim, duke thënë se po veprohet me mentalitetin e Luftës së Ftohtë. Kina ka kërcënuar Australinë se rrezikon një sulm bërthamor.

E zemëruar me marrëveshjen është edhe Franca, e cila kishte nënshkruar një marrëveshje me Australinë për ta furnizuar me nëndetëse konvencionale. Por kjo marrëveshje ka përfunduar në kosh.

Siç raporton BBC, të shqetësuar për marrëveshjen janë edhe ligjvënësit britanike, madje edhe ata brenda partisë së kryeministrit Boris Johnson.

Ata druhen se vendi mund të shkojë drejt një lufte me Kinën, në rast se Pekini vendos të pushtojë Tajvanin. Ndërkohë ky i fundit e ka mirëpritur marrëveshjen në fjalë.

SHBA e sheh Kinën si rrezikun më të madh ndaj saj në këto kohë dhe po përgatitet për të përballuar çdo skenar të mundshëm.