VIDEO/ 447 mln euro, kjo është fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare

Partia Demokratike denoncoi sërish skandalin e faturave stratosferike për gjobat në arbitrazh. Selia blu publikoi një video, duke theksuar se fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare është 447 milionë euro.

"447 milionë euro, kjo është fatura e Edi Ramës për familjet shqiptare. Imagjinoni sa probleme të vogla dhe të mëdha për shqiptarët do të zgjidhte kjo shumë marramendëse, që fatkeqësisht do të kthehet në një peshë për buxhetin e çdo familje, që do të detyrohet të paguajë papërgjegjshmërinë e Edi Ramës.

447 milionë euro nuk do të shkojnë për spitale, shkolla, kopshte, investime në infrastrukturë, ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, por për të paguar dëmet e shkaktuara nga një pakicë që ka shkatërruar ekonominë dhe po varfëron shqiptarët.

Në 8 prill 2021 Partia Demokratike ka depozituar në SPAK kallëzimin për çështjen "Becchetti". Ne presim që ajo të hetohet me përparësi, sepse çdo orë vonesë tashmë përkthehet në një dëm ekonomik të pakthyeshëm për qytetarët," thekson PD.