S’kaloi vetingun, kontrollon gjyqtarët/ Berisha: Ja si degradoi reforma

Ish-kryeministri Sali Berisha reagoi në lidhje me një tjetër skandal me organet e reja të drejtësisë. Gruaja e Denar Bibës, edhe pse nuk e ka kaluar vetingun, është caktuar që të kontrollojë gjyqtarët si pjesë e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Sipas Berishës, ky është degradim i reformës.

STATUSI I BERISHËS

Një rast që flet sa një vëllim!

Vetingu e ndalon znj Biba për 15 vite të kandidojë për organe të drejtësisë!

Tani ajo zyrtare e lartë tek Artur Çili (500-mijëshi) kontrollon gjyqtaret

Miq, kjo është bashkëshortja e Denar Bibes, ish-superbosit të prokurimeve më korruptive në Europë.

Zonja Biba si këshilltare në Gjykatën e Larte nisi vetingun dhe pas përfundimit të tij refuzoi të paraqitej pasi thuhet se bashkë me Denarin notonin në pasuri të paligjshme.

Duket se dora e ngrohtë e partisë dhe forca magjike e parave bënë që:

1-Në standard të dyfishtë, KPK e partisë të mos deklarojë për zonjën Biba se si në rastet e tjera që kanë ndërprerë vetingun se “janë larguar pasi kanë marrë raportin e gjetjeve”. Kjo sepse për zonjën Biba, njëlloj si për Sadushin e Partisë, vetingu përbën sekret partiak.

2-Pas kësaj ajo gjen strehë tek Artur Metani i Partisë, të cilin në gossipin e tyre të hidhur gazetarët e thërrasin Artur Çili apo Artur 500-mijëshi për shkak të një afere të regjistruar me zë dhe figurë, në të cilin Henri Çili ofron 500 mijë euro për një favor në Gjykatën e Lartë dhe gojët e liga thonë se ishte vetë Metani përfituesi.

3-Pas kësaj, për ta “qetësuar” nga tronditja dhe për solidaritet kameradesk, Euralius e pajis zonjën Biba me një “certifikatë vlerësimi”

Miq, ky rast flet sa një vëllim se si degradoi reforma e drejtësisë e Fondacionit të Shoqërisë dhe narkoshtetit shqiptar të Edvin Drogës.

Këtu më poshtë keni statusin e publikuar nga gazetari guximtar Jakup Gjoca, të cilin duhet ta falenderojme për këtë denoncim.

 

Gruaja e Denar Bibës u dorëhoq nga frika e vetingut, tani kontrollon gjyqtarët

Nga Jakup Gjoca

Reforma në Drejtësi ka hyrë në një spirale hipokrizie, e cila është mëse e dukshme, pavarësisht mbështetjes së gjerë publike që i jepet asaj nga partnerët ndërkombëtarë në Shqipëri.

Në këtë spirale janë përfshirë edhe misione ndërkombëtare, të cilat janë atashuar pranë strukturave të reja të drejtësisë për të ofruar asistencën e tyre.

Një rast i tillë është shënuar së fundmi në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në një njoftim për media, shpërndarë këtë të sot, njoftohet se misioni “EURALIUS V” ka shpërndarë “certifikata vlerësimi” për disa anëtarë të stafit të tij, në vijim të bashkëpunimit mes dy strukturave.

Në listën e zyrtarëve të vlerësuar është edhe Elona Kana, bashkëshortja e ish-kryetarit socialist të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.

Kana u përfshi më herët në procesin e Vetingut, pasi mbante funksionin e këshilltares ligjore në Gjykatën e Lartë.

Pas një serie të gjatë zvarritjesh dhe shtyrjesh, Kana paraqiti dorëheqjen nga e drejta për të marrë statusin e magjistratit, duke nxitur Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që të ndërpriste procesin e rivlerësimit ndaj saj.

Trupa e Vetingut kishte përfunduar procesin e verifikimit për Kanën dhe e ftoi atë të paraqitej në seancë dëgjimore në 28 janar 2020. Seanca e parë u shty dhe një ftesë tjetër iu drejtuar për t’u paraqitur në 3 Shkurt 2020.

Por, edhe kjo seancë u shty për një kohë të pacaktuar. Derisa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit informoi për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, për shkak të dorëheqjes së saj.

Në vendimin e zbardhur, KPK, ndryshe nga shumë raste të tjera, nuk përdori terminologjinë “e hidhur” që ka përdorur për subjekte të tjerë të dorëhequr, ku thekson se janë larguar pasi kanë marrë raportin e gjetjeve.

Megjithatë, të dhënat mediatike dhe të tjera të bazuara në formularët e pasurisë, ngritën dyshime të forta se ajo dhe bashkëshorti i saj, Denar Biba, kishin probleme të theksuara me ligjshmërinë e burimit të aseteve dhe llogarive bankare.

Pas ndërprerjes së procesit të Vetingut, KPK njoftoi se Elona Kana ndalohet që të zgjidhet apo emërohet në strukturat e larta të drejtësisë për 15 vitet e ardhshme, për shkak të dorëheqjes.

Por, siç duket, për bashkëshorten e Denar Bibës, është gjetur një portë e vogël, nëpërmjet të cilës ka hyrë sërish në sistemin e drejtësisë.

Për më tepër, në një institucion, i cili ka për detyrë që të kontrollojë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës.

Dhe, jo vetëm kaq. Por, ajo merr edhe “çertifikatë vlerësimi” nga misioni EURALIUS V, një prej strukturave kryesore të paguara nga Bashkimi Europian për zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri dhe sidomos procesit të Vetingut.

Spiralja e hipokrizisë mbyllët plotësisht-gruaja e Denar Bibës jep dorëheqjen nga detyra, pasi, me shumë mundësi nuk justifikon pasurinë përballë Vetingut, më pas emërohet në Inspektoratin e Artur Metanit për të kontrolluar gjyqtarët e prokurorët dhe në fund merr edhe “vlerësime ndërkombëtare”.