Vazhdon përzënia e turistëve nga Vlora: 10 mln lekë gjobë lokalit që guxoi e mbajti muzikën hapur

Pavarësisht thirrjeve dhe lutjeve nga biznesi turistik në Vlorë, kryesisht lokalet përgjatë bregdetit për të hequr orën policore, qeveria  jo vetëm që nuk ka dëgjuar nga ai vesh, por e ka ashpërsuar goditjen ndaj tyre.

Viktima e fundit e Policisë qe pronari i një lokali në Ujin e Ftohtë që guxoi e mbajti muzikën hapur për pushuesit vendas dhe turistët edhe pas orës 22:00, mirëpo jo vetëm që u procedua, por mori dhe një gjobë prej 1 milionë lekësh ose 10 milionë lekësh siç flitet “me të vjetrat”. Kuptohet, pas fikjes së muzikës me detyrim në orën 10 të darkës, në 12:00 klientët duhet të dalin jashtë sepse lokali mbyllet.

Policia e Vlorës njoftoi sot se po i vazhdon kontrollet për monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anti-Covid të vendosura nga organet kompetente. 

Policia tha se" konstatoi një prishje të qetësisë publike dhe procedoi penalisht J. Sh, banor i Vlorës, administrator i një subjekti, pasi u kap duke vazhduar aktivitetin me muzikë tek Uji i Ftohtë Vlorë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Ndaj tij u vendos masa administrative 1.000.000 lekë.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë përsëriti edhe të shtunën apelin për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anti-Covid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit."

Lexo: 'Në orën 22 u fikin muzikën, në 24 i nxjerrin nga lokalet: Si po i përzë Qeveria turistët e huaj nga Vlora