Ironia: Rama zbulon pas 7 vitesh se krimi qenka fshehur në polici

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka komentuar me ironi takimin e sotëm të kryeministrit Edi Rama, me të ashtuquajturit “drejtues të rinj” të Policisë së Shtetit, ku për herë të parë pranoi se krimi bënte rolin e tutorëve të shefave të policisë dhe është infiltruar brenda radhëve të tyre.

Strazimiri ka risjellë një deklaratë të Edi Ramës në fillim të mandatit të parë të tij të parë kur deklaronte, se brenda 300 ditëve të para të qeverisjes së tij krimi ishte fshehur dhe e ka ballafaquar me alarmin e sotëm të kryeministrit, i cili pas 7 viteve “ka zbuluar” se krimi që ishte fshehur atëherë, paska gjetur strehë brenda radhëve të Policisë së Shtetit!

“Shtatë vjet më parë njoftonte se brenda "300 ditëve të para" krimi ishte fshehur... Sot pas 7 vitesh, njofton që krimi qenkësh fshehur në ... polici...Taksirat e keni edhe 100 ditë...”, ironizon Strazimiri.

Pas riciklimit dhe lëvizjeve paralele që u bënë ditët e fundit për drejtorët e qarqeve në Policinë e Shtetit, Edi Rama, iu është vërsulur shefave të komisariateve duke folur kundër tyre me gjuhë të ashpër. Ai tha se ata janë tutorë të krimit.