Ikja e Calavera-s/ Gazeta e Brukselit: Po spastrohet klani i Ramës në KE

Genoveva Luiz Calavera nuk do të jetë më Drejtore e Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të Fqinjësisë në BE. Komisioni Europian vendosi që ta emërojë atë në një tjetër post drejtues që do të jetë ai i Drejtoreshës së Përgjithshme të Përkthimit.

Në lidhje me këtë lajm ka raportuar edhe gazeta e Brukselit, “New Europe”.

Kjo gazetë pati raportuar në dhjetor se Calavera kishte dalë kundër shefit të saj, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Gazeta shkruante se kryeministri Edi Rama ka miratuar në mënyrë të njëanshme ndryshimet kushtetuese. Presidenti Ilir Meta, i nxitur edhe nga Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi kërkoi mendimin e Komisionit të Venecias.

Por vartësja e Komisionerit të Zgjerimit, Genoveva Ruiz Calavera, ka telefonuar Komisionin e Venecias dhe ka kërkuar të refuzohej kërkesa e Metës. Sipas ‘New Europe’, skandali është i rëndë pasi ishte Varhelyi që kërkoi nga Rama që të priste mendimin e Venecias për ndryshimet kushtetuese.

Në shkrimin e sotëm, New Europe thekson se Calavera nuk është pushuar ekzaktësisht, por është dërguar te njësia e përkthimeve, ku nuk mund të bëjë dëm politik.

“Komisioneri Varhelyi meriton duartrokitje sepse në heshtje i tha ‘lopatës, lopatë’ dhe reagoi. Marrëdhënia e tij e mirë me Von der Leyen e ka ndihmuar me siguri”.

“Skuadra e Ndyrë e Komisionit, e cila mundësoi autoritarizmin, kapjen e shtetit dhe bashkëpunimin me botën e krimit të Ramës, tani ka humbur Calavera-n. Federica Mogherini është zhdukur prej kohësh. Johannes Hahn iu refuzua portofoli i Zgjerimit dhe Matuella, shefi i Njësisë për Shqipërinë në Departamentin e Zgjerimit është hequr dhe dërguar shumë larg, ashtu si Calavera,” shkruan gazeta.

Më tej theksohet se është larguar edhe Romana Vlahutin, ndërkohë që për ambasadorin aktual të BE, Luigi Soreca do të shkruajnë kur ai të shërohet nga koronavirusi.