Zhdukja e biznesmenit/ Mediat italiane: Një pistë surprizë?

Gazeta italiane La Nazione shkruan se një delegacion i policisë italiane është takuar dje në Pukë me një delegacion të policisë shqiptare, në lidhje me çështjen e zhdukjes së biznesmenit italian, Davide Pecorelli.

Hetuesit italianë dhe shqiptarë kanë këqyrur edhe njëherë mjetin Skoda Fabia, që u gjet i shkrumbuar në Pukë. Brenda tij u gjetën mbetje njerëzore, që mendohet se i përkasin 45-vjeçarit.

Por gazeta shkruan se akoma nuk është përfunduar krahasimi i ADN-së për të parë nëse ato janë eshtrat e italianit.

Sipas kësaj gazete, një skenar surprizë mund të shfaqet në sfond. Më herët është raportuar se italiani mund të jetë grabitur dhe vrarë. Kjo për shkak se policia italiane po heton për vrasje, ndryshe nga policia shqiptare që e raportoi ngjarjen si aksidentale.

Gazeta thekson se nga këqyrja e telefonit të viktimës nuk rezulton se ai ishte i shqetësuar për jetën. Në bisedat e tij ai nuk shfaq frikë apo ndonjë shqetësim.

Pas inspektimit teknik të mjetit, pritet një tjetër takim mes dy delegacioneve.