Gazeta e Brukselit akuzoi rëndë Calavera-s/ Varhelyi: Të pabaza

Para pak ditësh, gazeta e Brukselit, ‘New Europe’ hodhi akuza të forta ndaj Genoveva Ruiz Calavera. Ajo është vartëse e Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe drejtuese e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që mbikëqyr procesin e vetingut në Shqipëri.

Siç dihet, kryeministri Edi Rama ka miratuar në mënyrë të njëanshme ndryshimet kushtetuese. Presidenti Ilir Meta, i nxitur edhe nga Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi kërkoi mendimin e Komisionit të Venecias. Por siç raporton gazeta e Brukselit, Calavera ka telefonuar Komisionin e Venecias dhe ka kërkuar të refuzohej kërkesa e Metës.

Sipas gazetës, Calavera mund të jetë duke flirtuar me Edi Ramën, të cilin e quan ‘Cubi i Ballkanit’.

Pas këtij lajmi ka reaguar edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Ai thotë se akuzat ndaj Calavera-s janë të pabaza.

“Akuzat e fundit të pabaza në shtyp dhe media sociale janë plotësisht të papranueshme. Unë kam besim të plotë në stafin tim dhe qëndroj pranë Drejtorit të Ballkanit Perëndimor, Calavera dhe ambasadorit Soreca.

Më lejoni të theksoj gjithashtu: Reforma në drejtësi dhe vetingu i gjyqësorit në Shqipëri është absolutisht thelbësore dhe nuk mund të dalin nga shinat ose ngadalësohen, pavarësisht presionit,” thekson ai.