I penduari: Një makinë policie më mori pasi kisha minën që do eliminonte Vajdin Lamen

Luftar Reçi, bashkëpunëtori i drejtësisë për zbardhjen e vrasjes së Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ka deklaruar ditën që ka gjetur minën që është përdorur për eliminimin e Lamajt me porosi të Lulzim Berishës, e ka telefonuar këtë të fundit për t’i thënë se e kishte kryer porosinë.

Sipas tij, Lulzim Berisha i ka thënë se do të vijë një mik i tij për ta marrë dhe në atë moment është shfaqur një automjet ‘Mitsubishi Pajero’ policie me sirenë sipër dhe me katër porta.

"Kam pasur lidhje shoqërore me shtetasit Lulzim Berisha, Indrit Taullai dhe Plaurent Dervishaj. Lulzim Berishën e kam njohur në 1994. Ndërsa shtetasit Plarent Dervishi dhe Indrit Taullai i kam njohur më vonë sepse ishin njohje dhe miqësi e ngushtë e Lulzim Berishës.

Kujtoj se ka qenë muaji shkurt i vitit 2005, besoj nga mesi i muajit më ka telefonuar nga numri i tij celular Lulzim Berisha. Luli më tha gjej nga ato të ‘nëntat’ që ishin kallëpe tritoli, ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vetë fëmijët dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijë".

"Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje sepse i kisha treguar vetë. Më kërkoi një minë për veten e tij. Për të përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im dhe J.. Pas kërkesës së bërë nga Luli, unë mora në telefon A., i cili tregtonte mina. I shkova në shtëpi dhe i thashë se më duhej një minë me telekomandë dhe ai më tha prit se do ta gjej. U fut brenda në shtëpi dhe doli pas 45 minutash dhe më dha minën".

"Pasi mora minën telefonova Luli dhe i thashë hajde merre. Më tha do të marr pas pesë minutash dhe më tha do të vijë një mik i joni ta marrë. Pastaj erdhi një automjet ‘Mitsubishi Pajero’ policie me sirenë sipër dhe me katër porta.

Pasi më mori A., ikëm në Durrës tek piceria e Lulit. Me vete kisha edhe minën me telekomandë që kisha marrë. Për këtë minë kam paguar 1600 euro.Kur shkova tek piceria e Lulit, kam gjetur Lulin, Lentin dhe një person tjetër që qëndronte si roje te dera. Në piceri u ulëm tek një nga tavolinat dhe diskutuam për montimin e minës dhe gjetjen e një eksplozivi. Telefonova J. dhe i kërkova të vinte në Durrës. Rreth orës 10-11 të darkës kanë ardhur tek piceria në Durrës J. dhe pas tij A. me lëndën plasëse në një qese ku ishin 6 ose 8 tubete me dinamit, brumë me ngjyrë të kuqerremtë", ka deklaruar ai.

Montimi i bombës më pas është bërë në shtëpinë e motrës së Lulzim Berishës ku më pas Indrit Taullai ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit. Pasi ka mësuar vrasjen e Vajdin Lamajt, Luftar Reçi, bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se ka telefonuar Berishën, por ai i ka thënë se ndodhet në Turqi. Reçi ka rrëfyer edhe bisedën që ka pasur me Viktor Ymerin në burgun e Peqinit ku ky i fundit i ka thënë se njeriun për ta vënë bombën e ka gjetur ai, pasi Shullazi dhe shokët e tij dinë vetëm të hapen me vajza të bukura dhe makina.

"Pas pak kohe Luli, Lenti, Indriti, J. dhe unë shkuam te shtëpia e motrës së Lulit që quhej J. Ishte një shtëpi trekatëshe me shkallë nga jashtë në oborrin e saj ishte parkuar një makinë BMW X5 me ngjyrë të zezë. Në kat të parë ishte një garazh ku u futëm për të përgatirur lëndën plasëse.

J. kërkoi dy ceularë të ri dhe dy karta telefoni. Indriti tha se këtë tritol do ta përdorim për ta vendosur në një makinë, e cila do të vendoset afër një tjetre për të shpërthyer. Indriti i tha J. se detyra e tij është vetëm të montojë minën. Dolëm jashtë oborrit të shtëpisë në rrugë ishte duke u parkuar një makinë Peugeot ose Renault, ku pranë saj u afrua Indriti dhe takoi personin në timon. Shoferi hapi derën dhe u ndez drita e brendshme e mjetit. Unë pashë se në timon ishte Emiljano Shullazi bashkë me një vajzë. Indrit i dha minën me telekomandë Shullazit. Kur u bë montimi i bombës në garazh u përgatit edhe një bombë tjetër me celular Nokia i vjetër me ngjyrë gri me kapsollë elekrikë të cilën e mori Luli me vete".

"Kur unë shkoja në Durrës për të mësuar lëvizjet e Klodian Saliut, u hap biseda e minës së përgatitur. Indriti tha se Viktor Ymeri ka gjetur njeriun e duhur për t’ia vendosur minën personit m'u pas qafe. Brenda muajit shkurt të vitit 2005 është vrarë Vajdin Lame. Unë e kam marrë vesh në media dhe mora në telefon Lulin dhe i thashë si u bë kjo punë kështu. Ai më tha jam në Turqi dhe për këtë punë ke Indritin. Në bisedë tavoline është thënë nga Indriti me mburrjen se pordhën e madhe e bëjmë copë-copë. Ai ka thënë se informacionet për mbikëqyrjen e Vajdinit e bënte… kohët e fundit që ishte futur nga Viktor Ymeri. Në tavolinë është biseduar se X informonte Shullazin si në kohën që është vendosur mina në ashensor dhe për kohën kur duhej shpërthyer mina nga Emiljano Shullazi. Viktor Ymeri më ka thënë në burgun e Peqinit se Emiljano Shullazi me shokë dinë vetëm të hapen, por nuk dinë të gjejnë asgjë dhe se njeriun për vrasjen e Vajdinit ia gjeta unë", është shprehur Reçi.