Përse Edi Rama ëndërron fatin e gomarit dhe jo atë të hajdutit!

Kryeministri Edi Rama mbrëmë ka folur për herë të parë për nenin aq shumë të debatuar këto dy ditë, sipas të cilit do të ketë dënime deri me burg për prodhuesit e memeve.

Fillimisht ai bëri të paditurin për një draft, i cili është përpiluar në zyrën e ministres së tij besnike të Drejtësisë Etilda Gjoni. Më pas deklaroi se është e pamundur si praktikisht, por edhe teorikisht, që të ndalohen memet në internet.

Duket se testimi që i bën opinionit, i cili shpërtheu në revoltë, e ka detyruar Ramën që mbrëmë të deklarohej si i habitur nga lajmi që Ministria e Drejtësisë ka filluar një nismë ligjore në Kodin Penal, për ndalimin e memeve.

Në këtë intervistë të gjatë në RTV Ora me gazetarin Alfred Lela, kryeministri dha edhe një “leksion” gazetarie, duke i mëshuar asaj që ai ka më shumë merak, akuzat dhe denoncimet për vjedhjen e parave dhe pronave publike.

Në këtë kontekst ai deklaroi, se nuk do e kishte problem nëse do i thoshin gomar sepse këtë do ta merrte si opinion, por nuk do ta pranonte kurrë që ta cilësonin si hajdut.

“Sa i përket armikut të shtypit, unë kam një problem që nuk e zgjidh dot. Unë kam qenë aty ku jeni ju. Dhe duke qenë se kam milituar dhe duke qenë se kam një mendim të caktuar për cilësinë dhe vlerën e jashtëzakonshme që ka të shkruarit, ka një problem të madh me mos-korrektesën dhe keqtrajtimin e fakteve. Nuk kam problem që dikush shprehet negativisht ndaj meje. Në rast se më thonë gomar, është opinion dhe nuk e kam problem. Në rast se më thonë hajdut, ky nuk është opinion”, deklaroi ai.

Edi Rama duket se i ka shumë problem fjalët “hajdut” dhe “vjedhje”, sepse pak kohë më parë arriti deri aty sa që në studio tjetër si alibi se nuk është hajdut, përdori faktin qesharak dhe absurd se është burrë 2 metro i gjatë.

Nëse marrin vetëm raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se gjatë dy mandateve që ka qeverisur Edi Rama, nga buxheti i shtetit janë “zhdukur”, ose më troç janë vjedhur plot 7 miliard euro.

Dhe ta mendosh që këtu nuk janë futur skemat e PPP-ve dhe koncesioneve miliardëshe.

Ndaj Rama ka të drejtë që preferon që më mirë t’i thonë “gomar”, se sa “hajdut”.

Më e keqja që i ndodh një gomari kur nuk bën si duhet punën është se ha një dru të mirë. Kurse hajdutin e kapur, ditën që do të ketë shtet ligjor dhe funksional, e pret vetëm burgu!