Atentati ndaj biznesmenit që denoncoi Blushin/ Gazetari: Ja pra që nuk qenka sajesë

Arrestimi i katër personave që do të ekzekutonin biznesmenin Andon Dhima ka sjellë edhe reagimin e gazetarit Artan Hoxha. Ai ka ironizuar mediat pranë qeverisë, kryesisht gazetën Shqiptarja.com, të cilat raportuan se atentati mund të ishte sajim.

Kujtojmë se Dhima ka akuzuar gazetarin Ben Blushi se ka gisht pas këtij sulmi.

“Ja pra që ngjarja ndaj biznesmenit Andon Dhima nuk paska qenë e sajuar për të njollosur imazhin “qelibar” të “Agushëve” rilindas, dhe për të marre letra për azil politik.

Pra “Caro Agushi”, që të doli rryli i fytit ta nxirrje ngjarje të sajuar nëpërmjet frëngjisë së kotecit tënd...

-paska atentat të dështuar,

-paska dy ekzekutorë,

-paska dy bashkëpunëtorë,

-paska armë zjarri,

-paska maska fytyre që nuk identifikohen dot nga roja i pallatit vrasesit,

-paska të arrestuar që nuk qenkan amatorë, sepse kanë marrë pjesë në shumë ngjarje kriminale të mëparshme, madje paskan bërë dhe “trajnim special” në burg...

Je kapur me presh në duar Agush, duke mashtruar ditën për diell, dhe duke dashur të fajësosh publikisht një biznesmen, që me fat i shpëtoi vdekjes, si njeri që kishte sajuar ngjarjen për të marrë azil në BE,” shkruan Hoxha, duke postuar komunikatën e policisë për arrestimin e autorëve me precedent të theksuar kriminalë.