Provokim i rëndë: Rama shkarkon kryebashkiakun e Vaut të Dejës dhe kërcënon të zgjedhurit e opozitës

Kryeministri Edi Rama i ka provokuar rëndë në veçanti sot, qytetarët e Vaut të Dejës, pasi me një të rënë të lapsit, ka shkarkuar kryebashkiakun e zgjedhur prej tyre, Zef Hilën.

Rama shkruan në TWitter: "Zef Hila, haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, jo vetëm u shkarkua po do të ndiqet penalisht, për aktin barbar të djegies së shkollës dhe djegies së materialeve zgjedhore! Kush do ta ndjekë shembullin e tij, do të ketë të njëjtin fat dhe do të përballet me drejtësinë.”

Kësisoj, vetëm dy ditë para zgjedhjeve pa dekret të 30 qershorit, kur klima është e tensionuar, Rama vendos të shkarkojë pa pyetur për prova dhe dëshmi, Hilën, duke e akuzuar si organizatorin e djegies së KZAZ-së në Bushat. Ndërkohë, Hila deklaroi për mediat se e nuk kishte marrë pjesë në atë protestë dhe se dënonte me forcë çdo akt dhune.

Dhe si të mos mjaftonte shkarkimi, kryeministri ka derdhur në adresë të Hilës fyerje personale dhe ka kërcënuar duke e bërë shembull, të gjithë kryebashkiakët e opozitës në vend, që kundërshtojnë mbajtjen e votimeve në 30 qershor.

Lidhur me shkarkimin e Hilës, reagoi më herët Partia Demokratike, e cila paralajmëroi "se shpresa e vetme e Ramës për të mbajtur pushtetin kriminal qëndron tek dhuna, tek konflikti, tek përplasja civile. Me këtë skenar, të dalë nga sirtarët e Sigurimit të Shtetit, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj kanë vënë në shënjestër kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës."