Çfarë fshihet pas marrëveshjes Xhafaj-Marku, për të krijuar një 'SPAK' qeveritar?!

Vetëm pak minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes mes prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, SYRI.net duke zbardhur element të rëndësishëm të saj, zbuloi për lexuesit (Xhafaj dhe Marku krijojnë ‘SPAK-un’ e tyre. Ja struktura e re që do të veprojë paralel me Krimet e Rënda) se thelbi i saj ishte krijimi i një strukture të posaçme, paralele me prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pak orë më pas, pasi u kthjellua, edhe opozita doli dhe bëri denoncimin e saj të ashpër.

Por, për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë? Çfarë synon me këto struktura të veçanta që do të ngrihen me shpejtësi brenda 5 ditësh Edi Rama, duke shkelur hapur kushtetutën e re të miratuar në kuadër të Reformës në Drejtësi?

Për ta shpjeguar me pak fjalë; Dy delfinët e kryeministrit Marku dhe Xhafaj kanë  vendosur krijimin e “seksioneve të posaçme”, për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Marrëveshja parashikon që prokurorët e këtyre seksioneve, të emërohen pas verifikimeve të kryera për ta nga DSIK, ILDKP dhe SHISH, gjitha institucione nën kontrollin e kryeministrit. Por ajo që bie në sy është, se e gjitha kjo do të ndodh brenda 5 ditëve në vazhdim. PPP Marku do të emërojë njerëzit, kurse stafin mbështetës, ambientet dhe sigurinë fizike do ta sigurojë ministri i Brendshëm Xhafaj!

Por e gjithë kjo strukturë e ngritur me shpejtësi, të kujton planin Rama-Tahiri, për Byronë Kombëtare të Hetimit e cila do të ishte edhe fizikisht edhe në varësi, të ministrit të Brendshëm. Projekt ky që u rrëzua pas vetos së opozitës dhe opinionit të Venecias, gjatë rrugës së vështirë deri në votimin e draftit përfundimtar të Reformës.

Gjithashtu këto njësi speciale të ngritura pa asnjë bazë ligjore, të kujtojnë edhe SPAK-un e famshëm, i cili ende nuk është ngritur si pasojë e bllokimit të KLP-së nga mazhoranca e cila për gati një vit bënte sikur nuk gjente dot kandidat nga Shoqëria Civile, të cilën e kontrollon vetë.

Nuk dihen ende arsyet e vërteta të këtij nxitimi për të krijuar njësi të tilla, por Kushtetuta e re e Shqipërisë e parashikon në mënyrë të qartë  ngritjen e Prokurorisë së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit të quajtur SPAK, dhe atë të njësisë së hetimeve nën varësinë e saj, të njohur ndryshe si Byroja e Hetimit.

SPAK (ai i vërteti që pritet të ngrihet pas krijimit të KLP) i cili do të kryejë misionin që pretendon edhe dyshja Xhafaj-Marku me këto njësi të posaçme që po krijojnë, sipas kushtetutës është krejtësisht i pavarur nga struktura të tjetra të Prokurorisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Drejtuesit dhe prokurorët e SPAK, emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe pikë!

Më konkretisht në Ligjin për Prokurorinë,  në nenin 4, përcaktohet e zeza mbi të bardhë:

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar…

Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj.

Pra e gjithë kjo strukturë paralele që po ngre Xhafaj-Marku do të përplaset në të ardhmen me SPAK (sepse bien ndesh, në çdo aspekt), por do të krijojë problem serioze në hetimin e krimit dhe korrupsionit edhe që tani, pasi i merr kompetencat prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Nëse vazhdojmë me anti kushtetueshmërinë e këtij plani, duhet thënë edhe se; PPP Marku e ka të ndaluar të ndërmarrë ndryshime në strukturën e prokurorisë dhe të bëjë emërime prokurorësh.

Me këtë plan, Rama duket se po gjen një rrugë të ndërmjetme për të marrë nën kontroll të plotë prokurorinë dhe gjithë dosjet e krimit të organizuar dhe ato të korrupsionit, duke përfshirë edhe ato ku Marku deri më tani nuk zgjaste dot dorën, pasi janë nën tagrin e Krimeve të Rënda.

 Pas kësaj do të ishte shumë e lehtë për të goditur në mënyrë selektive dhe për të mbyllur të gjitha ato skandale, që prekin kryeministrin dhe shpurën e tij të Rilindjes, apo familjare.